Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Asdren Mekajt për detyrim, administrohen prova të reja të paraqitura nga Prokuroria Speciale

Asdren Mekaj është ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me akuzën e Prokurorisë Speciale për veprën penale – detyrim.

Mekaj po gjykohet se ka përdorur kërcënime ndaj Pal Grudës duke e detyruar që t’i japë të holla dhe makina në periudha të ndryshme në vlerë rreth 200 mijë euro.

Gjatë seancës së sotme, me propozimin e prokurores Merita Bina-Rugova është bërë shikimi i CD-ve të dorëzuara nga Prokuroria.

Paraprakisht, Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit, konsideroi se me publikimin e CD-ve mund t’i cenohet privatësia ndonjë personi i cili nuk ishte i përfshirë në çështje.

“Kjo CD është trajtuar edhe në rastin e PPS, prandaj kërkesa jonë për interesa të drejtësisë është që të reduktohen pasojat për personat e tjerë të cilët nuk janë të përfshirë në akuzë. Propozoj që të fokusohemi vetëm në pjesët ku Prokuroria synon të provojë një fakt kriminal” – deklaroi Berisha.

Por me këtë mendim nuk u pajtua prokurorja Merita Bina-Rugova sipas së cilës qëllimi i kësaj prove ishte të vërtetohej se i dëmtuari Pal Gruda dhe familja e tij që nga fillimi kanë pohuar se janë viktimë e të akuzuarit.

“Qëllimi i vetëm me të cilën është propozuar që të shikohet ky incizim është të vërtetohet fakti se i dëmtuari Pal Gruda dhe familjarët e tij që nga fillimi i paraqitjes së rastit në Polici kanë pohuar se i njëjti është viktimë e të akuzuarit dhe se kërkesat e të akuzuarit janë plotësisht të pabazuara dhe në fakt janë pasojë e veprës penale dhe jo raportit juridiko-civil siç pretendon i akuzuari” – tha prokurorja Bina-Rugova.

Reagime pati edhe Miftar Qelaj, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, i cili kërkoi që Gjykata të vazhdojë me administrimin e provave prej momentit të takimit e deri në përfundim.

“Me rastin e administrimit të CD-së vërtetohet implikimi i shumë personave dhe shtimi i presionit ndaj të dëmtuarit për të paguar shumat e të hollave kinse në emër të borxhit” – deklaroi avokati Qelaj.

Seanca tutje ka vijuar me shikimin e CD-së vetëm në pjesën e cila ndërlidhet me akuzën.

Pas kësaj nga Prokuroria u kërkua që të sigurohet transkriptimi i kësaj prove.

Seancat e radhës u caktuan për më 30 tetor dhe 1 nëntor 2022.

Fillimisht Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për veprën penale të detyrimit dhe të shantazhit.

Por Gjykata e Apelit, në gusht të vitit 2018 pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Mekaj, avokati Besnik Berisha, ka hedhur poshtë pjesën e aktakuzës për veprën penale të shantazhit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Asdren Mekaj ngarkohet se nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat Mekaj vetë i ka caktuar.

Në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë Speciale, Asdren Mekaj i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro.

Në shqyrtimin fillestar Asdren Mekaj lidhur me akuzat e Prokurorisë Speciale ishte deklaruar se nuk ndihej fajtor.

“Në rastin konkret ndihem i dëmtuar dhe i mashtruar nga Pal Gruda dhe për këtë mashtrim është iniciuar edhe një kontest juridiko-civil pranë kësaj gjykate” – kishte thënë ai.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.