Kurti: Nuk jemi shtet diktaktorial, me dinarin merret BQK-ja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se për çështjen e dinarit duhet të pyetet Banka Qendrore e Kosovës, pasi që “nuk jetojmë në një shtet diktaktorial” ku kryeministri të përzihet në punën e institucioneve të pavarura.

Këtë përgjigje, ai e ka dhënë kur është pyetur se çfarë plani ka Qeveria “mbi tavolinë” kur të përfundojë afati për periudhën tranzitore për dinarin, apo më saktësisht- çka pas 11 majit 2024?

“Pas 11 majit, vjen 12 maji”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, sikurse për votimin në katër komunat në veri që ka qenë autoritet KQZ-ja, edhe për dinarin Kosova e ka BQK-në autoritet më të lartë e jo Qeverinë.

Ka pasur përpjekje të vazhdueshme që të më vendosin në pozitënku unë vendosi edhe për BQK-në, për vendimet e tyre. Kjo ndodh në shtetet diktatoriale. Ne jemi shtet demokratik. Guvernatori i BQK-së është votuar në të njëjtën sallë ku jam votuar edhe unë. Ai nuk më raporton mua. Ai i raporton Kuvendit”- tha Kurti.

Në takimet e deritashme në Bruksel për këtë çështje janë dhënë disa propozime për gjetjen e një zgjidhje sipas së cilës Serbia do të mund të bënte pagesa për shfrytëzuesit e ndihmës financiare në Kosovë.

Me Rregulloren e re të BQK-së, ‘euro’ u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti.

Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihma financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.

Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik.

Për tejkalimin e situatës së krijuar janë zhvilluar disa takime në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, por pa ndonjë rezultat konkret.