Kurti: Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës

Qeveria e Kosovës nuk do ta pranojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si kusht për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, tha sot kryeministri i vendit, Albin Kurti.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel, jo në Strazburg” – ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë më 08.05.2024.

Kjo kërkesë, sipas tij nuk është parimore e as vlerore, por është absurde.

Shefi i Qeverisë tha se duan anëtarësim meritor sepse Kosova ndan vlera të përbashkëta me Këshillin e Europës.

Pengesat për anëtarësim, Kurti tha se i kanë pritur nga shtetet mosnjohëse, por assesi nga shtetet demokratike që janë mbështetëse të Kosovës në zhvillim, e kanë qenë mbështetëse në çlirim e pavarësim.

Kryeministri tha se kanë dëgjuar që ka kryeqytete që po e kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e draft-asociacionit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

“Mungesa e përkrahjes është për keqardhje. Nuk do t’i ndihmojë normalizimit dhe dialogut dhe nuk i kontribuon demokracisë, paqes dhe sigurisë” – tha kryeministri Kurti.

Por, ky dokument, sipas Kurtit nuk është zyrtar, sepse u refuzua nga Serbia më 26 tetor 2023 dhe si të tillë nuk mund ta dërgojë në Kushtetuese.

“Nëse me datë 26 tetor 2023 do të nënshkruhej në Bruksel vetëm atëherë do të dërgohej në Gjykatë Kushtetuese. Si i tillë është një non-paper dhe jo një dokument” – shtoi shefi i ekzekutivit.

Asociacioni si kusht, Kurti tha se është refuzuar tri herë edhe nga vetë instancat e Këshillit të Europës.

“Përkundër kësaj, tri herë përgjatë procesit u tentua që të futej kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim. Dy herë në komitetin për çështje politike dhe demokraci, më 27 mars në Paris dhe më 16 prill në Strasburg dhe po ashtu gjatë mbledhjes së asamblesë së përgjithshme po atë ditë, por që të tri herat u refuzuan” – tha Kurti.

Nëse me datë 26 tetor 2023 do të nënshkruhej në Bruksel vetëm atëherë do të dërgohej në Gjykatë Kushtetuese. Si i tillë është një non-paper dhe jo një dokument.

Kurti tha se bashkë me Kryekuvendarin dhe Presidenten kanë dhënë një letër garancë për atë që do të bëjnë pas anëtarësimit, e se më shumë se kjo letër nuk mund ta kërkojë askush.

Kryeministri tha se Qeveria ka punuar pa reshtur dhe ka bërë çdo veprim për të plotësuar standardet, kriteret, kushtet e parakushtet për tu bërë anëtare e plotë e Këshillit.

Ai tha se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit ka qenë kërkesë që ka të bëjë me sundimin e ligjit, si vlerë e Këshillit.

Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar më 16.04.2024, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KE.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.

Pas kësaj, hapi i fundit për këtë proces është votimi nga ministrat e jashtëm të shteteve anëtare.

Por, kjo çështje e anëtarësimit të Kosovës, ende nuk është vendosur në agjendën e mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare.

Më 16-17 maj është planifikuar të mbahet ky takim i ministrave në Strasburg – takim për të cilën qe gati një muaj është përfolur se në të do bëhet votimi përfundimtar për Kosovën.

Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022, për anëtarësim në Këshillin e Evropës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.

Kurti: Kemi kërkuar nga Agjencia Kadastrale të zbatojë vendimin për Manastirin e Deçanit

Votimi për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të KiE: Më shumë përkrahje sesa kundërshti

Këshilli i Europës ende s’e ka futur në agjendë çështjen e anëtarësimit të Kosovës