Foto: Arjana Berisha/KALLXO.com

Përfundojnë votimet për zgjedhjen e presidentit dhe të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u janë drejtuar kutive të votimit sot më 08.05.2024 për të zgjedhur presidentin e shtetit dhe parlamentin e ri.

Kutitë e votimit janë mbyllur në ora 19:00.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në zgjedhjet parlamentare deri në orën 17:00 kanë votuar 46.93 % e votuesve.

Ndërsa në zgjedhjet presidenciale, në rundin e dytë deri në orën 17:00 kanë votuar 42.32% e votuesve.

Me këtë përqindje është arritur censuzi për zgjedhje të presidentit.

Rreth 1.8 milion shtetas të Maqedonisë se Veriut kanë të drejtë vote në këto dy palë zgjedhje: rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe ne zgjedhjet parlamentare.

Këto janë zgjedhjet e para të dyfishta që mbahen në ketë vend prej vendosjes së demokracisë në vitet ‘90.

Në garën për Parlamentin e ri marrin pjesë 17 parti dhe koalicione. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në atë shqiptar mes Frontit Evropian, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe koalicionit opozitar VLEN.

Në garë për president janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë, Gordana Silanovska – Davkova e VMRO-DPMNE-së në opozitë, dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, që mbështetet nga Lidhja Social Demokrate në pushtet.