Hysen Durmishi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com
Prokuroria Speciale po interviston Hysen Durmishin, shkak tenderi për rrugën Prishtinë – Podujevë
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi po intervistohet sot nga në Prokurorinë Speciale në lidhje me tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë.
Lajmin për intervistimin e tij për sot, 08.05.2024, e kishte bërë ditë më parë vetë Durmishi përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Durmishi nuk kishte njoftuar në çfarë cilësie ishte ftuar për t’u intervistuar, si i dyshuar apo si dëshmitar.
RTV Dukagjini ka publikuar fotografinë e Hysen Durmishit duke hyrë në objektin e Prokurorisë Speciale.
“Të ftosh zv.ministrin për intervistim duke u bazuar në spekulimet e një operatori ekonomik, edhe pas vendimit të OSHP- së që na jep të drejtë neve si autoritet kontraktues, më duket sinqerisht e pakuptimtë. Ankesa e atij operatori ekonomik është shpallur e pabazuar edhe me vendim”– ka shkruar Durmishi në Facebook më 30.04.2024
Në korrik të vitit 2023 në emisionin “Kallxo Përnime” ishte publikuar hulumtimi pikërisht për rrugën Prishtinë – Podujevë, në të cilin tregohej se si Hysen Durmishi kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur ka ankesë aktive nga një operator ekonomik që ka marrë pjesë në tender, aktiviteti i prokurimit pezullohet dhe autoriteti kontraktues nuk ka të drejtë të procedojë me nënshkrim të kontratave.
Këtë e kishte konfirmuar edhe vetë OSHP, në nje vendim të marrë më 04.12.2023.
Sipas vendimit të OSHP-së, nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e llotit të dytë të magjistrales Prishtinë-Podujevë, ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, pasi për këtë llot kishte ankesë aktive dhe tenderi është dashur të pezullohej.
Ankesa në OSHP ishte dorëzuar më 15.06.2023, ndërsa kontrata ishte nënshkruar katër ditë më vonë, më 19.06.2023 nga Nexhat Krasniqi, zyrtar përgjegjës i Prokurimit, i cili është futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kontrata ishte nënshkruar edhe nga Hysen Durmishi, zv/ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe nga Izedin Bytyqi, zv/zyrtar kryesor Administrativ në këtë ministri.