Escobar tregon se çfarë mesazhesh ka marrë Lajçaku nga vizita në SHBA

Përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar ka treguar se cilat kanë qenë temat e diskutimit në takimet me emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në një konferencë online për gazetarë, Escobar tha se me Lajçak-un ka folur për strategjitë se si do të vazhdohet tutje me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Lajçak ka qenë këtu gjatë këtyre dy ditëve. Një gjë që ai e ka marrë nga vizita në Uashington është që SHBA-ja do të vazhdojë të përkrah dialogun e lehtësuar nga BE-ja … Ky është mesazhi i parë që ai ka marrë me vete. Kemi folur për strategjitë për atë se si do të vazhdohet implementimi i Marrëveshjes së Ohrit në mënyrë që rajoni të përfitojë nga kjo marrëveshje. Dhe, gjithashtu [kemi folur] edhe për çështjen e dinarit se si do të vazhdojmë të kemi një proces transparent. Këto kanë qenë dy temat kryesore të takimit”- ka thënë Escobar.

Gjatë mandatit të tij, Escobar u shpreh se kishte menduar se Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës dhe Serbisë, do ishte më e lehtë për t’u zbatuar.

Kosova, siç ka thënë ai, do të përfitonte njohje të reja, Partneritetin për Paqe, kandidaturën për BE, dialog për partneritet dypalësh strategjik me SHBA-në dhe një konferencë donatorësh, ndërsa edhe Serbia do të përfitonte nga organizimi i një konference donatorësh dhe zgjidhja më e shpejt për Kapitullin 35 të bisedimeve për anëtarësim në BE.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e BE-së.

Pritjet vazhdojnë të jenë që negociatat të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

Ndërkohë, dy emisarët Escobar dhe Lajçak janë në prag të përfundimit të mandatit të tyre dhe fillimit të angazhimit në detyra tjera.