Bordi i RTK-së me kritika të ashpra për drejtorin e Radios

Debat me tone të larta është zhvilluar më 07.05.2024 në mbledhjen e bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) pasi anëtarja e bordit, Arta Berisha tha se kanë pranuar një letër shqetësuese nga udhëheqësja e Zyrës ligjore, Zana Spahiu.

Në këtë letër sipas anëtares Berisha, Spahiu thotë se ka pasur presion dhe sjellje të pa tolerueshme nga drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili.

“Neve na ka ardhur një email prej shefit të Zyrës ligjore, emaili është shumë shqetësues, kisha dashtë sqarime pse me leju me u sjellë në atë mënyrë”- tha Berisha.

Anëtarët e bordit të RTK-së e kanë quajtur të papranueshme sjelljen e drejtorit të Radios, Arsim Halili drejtë udhëheqëses së Zyrës ligjore të RTK-së, Zana Spahiu.

Në letrën e Spahiut thuhet se si rezultat i presionit të drejtpërdrejtë të drejtorit të Radios, Arsim Halili që ushtronte ndaj Komisionit Disiplinor në të cilin kjo ishte kryesuese, për ta ruajtur integritetin, paanshmërinë dhe pavarësinë, kishte paraqitur dorëheqjen.

Ndër të tjera Spahiu thekson se drejtori i Radios ndaj saj ka ushtruar presion psikologjik në vendin e punës, me ngritje të zërit, përplasje të tavolinës, dhe me elemente të dhunës verbale.

Kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini tha se qasja e drejtorit Halili është e papranueshme duke e marrë parasysh faktin që ai nuk është epror direkt i Spahiut.

“Jemi duke folur për një shqetësim, për qasje, për presion. Ajo ja jep dorëheqje për shkak të presionit… Qasja është e papranueshme, as tek vartësit e tu Arsim e aq më pak në këtë rasti që ju nuk jeni epror direkt i personit në fjalë. Është e papranueshme si qasje, këso qasje nuk bën me u kultivu në RTK”- tha Boletini.

Edhe anëtari i bordit, Driton Hetemi i tërhoqi vërejtjen drejtorit të Radios.

“Kujdes mos bë sjellje të papranueshme me njerëz të tjerë… Menaxhoje Radion o zotëri mos u përzi atje” – iu drejtua Hetemi.

Drejtori i Radios, Arsim Halili në mbledhjen e bordit nuk u pajtua me akuzat e drejtuara ndaj tij.

“Kush i ka thënë jep dorëheqje? Unë thash kam diskutu qysh kena diskutu në mbledhjet e menaxhmentit. Unë mundem me hesht për krejt parregullsitë që ndodhin në RTK. Unë heshti krejt, heshti. Pse unë mos me qenë në emailin që ajo ua ka dërgu juve? Unë as nuk e kam thirr në telefon. Unë kur nuk pajtohem me diçka ia them edhe drejtorit të përgjithshëm”- tha Halili.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me udhëheqësen e Zyrës ligjore të RTK-së, Zana Spahiu, por e njëjta ka qenë e paqasshme deri në publikimin e këtij artikulli.

Në mbledhjen e datës 07.05.2024 të bordit të RTK-së, anëtarja e bordit Albulena Mehmeti ka pyetur drejtorin e përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, nëse ka marrë ndonjë masë ndaj drejtorit të Radios pas këtyre zhvillimeve.

Ahmetxhekaj u përgjigj se nuk është marrë ndonjë masë ndaj drejtorit të Radios.

Në mbledhjen e  datës 07.05.2024 të bordit të RTK-së ishte edhe drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla i cili tha së është dëshmitar i toneve të larta të drejtorit Halili ndaj udhëheqëses së Zyrës ligjore.

Gërvalla tha se ka pas rast kur drejtori Halili ka shkuar në zyrën e Spahiut duke bërtitur.

“Jam dëshmitar i presionit, jam dëshmitar i ngritjes së zërit ndaj saj… Ka shku në zyrë e kemi pa krejt në korridore duke u fut në zyrën e zyrës ligjore. Ia kam tërheq vërejtjen në sy të drejtorit të përgjithshëm”- tha Gërvalla.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj tha se “unë nuk jam në dijeni për këtë por nëse është e vërtetë unë do të marrë masa”.

Gazetarja e Radio Kosovës pretendon se drejtori Arsim Halili dha urdhër që t’i merren kompjuteri dhe gjësendet e saja

Më 30.03.2023, Bordi i RTK-së kishte emëruar, Arsim Halilin drejtor të Radio Kosovës.

Arsim Halili emërohet drejtor i Radio Kosovës