Gjykata sot pritet të vendos për Bedri Krasniqin e Alban Dezdarin

Sot merr epilog gjykimi për vrasjen e dy zyrtareve policore, njeri polic i Kosovës dhe tjetri polic i UNMIK -ut, rast për të cilin po akuzohen Bedri Krasniqi e Alban Dezdari.

Trupi gjykues i cili pritet të vendosë për këtë çështje penale është në përbërje prej Arben Hotit – kryetar dhe anëtarëve Valon Kurtaj dhe Mentor Bajraktari.

Kurse akuzën e ngritur nga Prokuroria e EULEX – it e përfaqëson Prokurorja speciale Habibe Salihu.

Aktakuza lidhur me rastin e vrasjes që aktualisht po gjykohet ishte ngritur me 21 korrik të vitit 2017 me të cilën të akuzuarit i ngarkonte me veprën penale vrasja e rëndë dhe vrasja në tentativë.

Atëbotë këto akuza binin në barrën e katër të akuzuarve, Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme përmes një aktvendimi të nëntorit të po atij viti Kiqmarin dhe Shaqirin i kishte liruar  pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin, ndërsa Shkumbin Mehmetin e kishte shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 30 vite burgim, më 9 nëntor 2007.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë në detyrë.

Zyrtari i Policisë së Kosovës Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut Ramë Zeneli, kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.

Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.

Gjatë këtij gjykimi vëmendje të shquar ka marrë dëshmia e dëshmitarit Shkumbin Mehmeti i cili aktualisht është në vuajtje të dënimit prej 30 vitesh.

Në seancën kur Shkumbin Mehmeti kishte dëshmuar në këtë rast, gjykimi ishte mbyllur për publikun, për shkak të ndjeshmërisë së dëshmisë.

Fjala përfundimtare në këtë rast u dha në seancën e kaluar me date 9 shtator të vitit 2023.

Gjatë kësaj seanca Prokuroria kërkoi dënimin e të akuzuarve.

Avokatja e Bedri Krasniqit, Drita Sopi theksoi se klienti i saj duhet të lirohet, ngase sipas saj deklaratat e dëshmitarit Mehmeti ishin të demantuara nga vet ai.

Bedri Krasniqi në këtë seancë i tha trupit gjykues se është hallka e vetme fatkeqësisht që shpreson me u kap, dhe se ka vërejtur tek trupi gjykues se kanë një interesim për ta zbardhur të vërtetën, kurse për këta të fundit tha se nuk kanë asnjë fakt ose provë të vetme.

I akuzuari Alban Dizdari, në fjalën e tij përfundimtare tha se e kishte humbur besimin në organet e drejtësisë.