Bekim Jashari. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjobitet Bekim Jashari për thyerje të heshtjes zgjedhore

Kandidati për kryetar të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, është dënuar me gjobë prej 1 mijë e 800 euro për shkak të thyerjes së heshtjes zgjedhore.

Sipas vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ankesa është parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës, dega në Skenderaj.

PDK ka pretenduar se një kandidate për asamble nga lista e pavarur e Bekim Jasharit dhe disa aktivistë në ditën e heshtjes zgjedhore kanë reklamuar “materiale nxitëse elektorale” duke i bërë thirrje për të votuar kandidatin Bekim Jasharin dhe kandidaten në fjalë, thuhet mes tjerash në vendimin e PZAP-së të publikuar të mërkurën.

“Detyrohet subjekti politik Lista e Pavarur-Bekim Jashari, me seli në Komunën e Skenderajt, që gjobën e shqiptuar si në pikën -I- të dispozitivit të këtij vendimi ta paguaj në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, nga dita e pranimit të këtj vendimi nën kërcënim të dënimit shtesë”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Bekim Jashari nga lista e pavarur “Ideal për Skenderaj” ka marrë 40,64 për qind të votave kurse kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Fadil Nura, mori 57,99 për qind.

Jashari ka njoftuar së kanë deponuar mbi 10 ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që sipas tij, kanë të bëjnë me vjedhjen e votave me sistemin e “trenit bullgar”.