Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Policia shqiptoi mbi 1 mijë gjoba trafiku për 1 javë në Ferizaj

Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 1,063 gjoba kundërvajtëse dhe ka hequr 17 patentë shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacion gjatë javës së kaluar.

Këto gjoba janë dhënë në periudhën 08.04.2024 deri me datë 14.04.2024.

Policia e Kosovës në Ferizaj ka njoftuar se këto aktivitete të ndërmerren me qëllim të  identifikimit të kundërvajtësve të ndryshëm në komunikacion.

Gjatë po kësaj periudhe, janë raportuar 55 aksidente, 19 prej tyre me lëndime, 32 persona të lënduar dhe 36 aksidente me dëme materiale.

Policia Rajonale në Ferizaj thonë se e kanë synim parandalimin e aksidenteve në komunikacion rrugor dhe apelon qytetarët të bëjnë kujdes.

E për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, kjo drejtori  fton qytetarët ta njoftojnë stacionin më të afërt apo përmes aplikacionit digjital  “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250& 0290/322-406.