Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kontrollojnë një të dyshuar - Foto: KALLXO.com

Gjashtë raste për narkotik u regjistruan vetëm gjatë ditës së djeshme në rajonin e Prishtinës

Në pika të ndryshme kontrolli, gjashtë raste janë regjistruar në Policinë e Kosovës për posedim të narkotikëve nga persona të ndryshëm që u hasën në trafik.

Rastet u regjistruan pasdite në rrugë e lokacione të ndryshme.

Në rrugën Prishtinë- Gjilan janë rreth orës 15:00 janë arrestuar dy të dyshuar serb, një me shtetësi Kosovar e tjetri me shtetësi të Serbisë.

Të njëjtit janë ndaluar me veturën me të cilën ishin duke qarkulluar dhe gjatë kontrollit te të njëjtit, njësitet policore kanë gjetur e konfiskuar substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë, në peshë 5.7 gramë dhe një mjet të mprehtë-thikë.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër është regjistruar në rrugën “Kristo Luarasi” në Prishtinë rreth orës 13:30.  Njësitet policore pasi kanë ndaluar veturën të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar, gjatë kontrollit tek i njëjti kanë gjetur dhe konfiskuar 22.9 gramë substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë.

Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Policia rreth orës 17:00 në rrugën “Xhorxh Bush” në Prishtinë kanë ndaluar të dyshuarin mashkull kosovar, gjatë  kontrollit te i njëjti në çantën e krahut kanë gjetur dhe konfiskuar 3.3 gramë substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Tutje një rast tjetër është regjistruar në Magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë rreth orës 17:20.

Policia ka njoftuar se ka arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një qese me pluhur te bardhë e dyshuar për substancë narkotike të llojit kokainë me peshë 4.8 gram. Pas intervistimit, në konsultim me prokurorin kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në orët e mbrëmjes, 19:40, policia në “Rrugën C”, kanë ndaluar veturën të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar, gjatë kontrollit në veturën  e tij  është gjetur dhe konfiskuar 6.6 gramë substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Edhe pak para mesnatës, rreth orës 23:00 në rrugën “Luan Haradinaj”, policia ka arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi janë ndaluar me veturën me të cilin ishin duke qarkulluar dhe gjatë kontrollit te të njëjtit është gjetur dhe konfiskuar substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë 0.4 gramë dhe marihuanë 10.4 gramë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.