Valon Syla. Foto: AGK/Facebook

Gazetari Valon Syla rrëfen se si ndodhi sulmi ndaj tij

Gazetari Valon Syla, i cili mbrëmë u sulmua fizikisht nga tre persona, ka rrëfyer se si ka ndodhur ngjarja dhe se cilat janë dyshimet e tij për motivet e sulmit.

Në emisionin “Pressing” në T7, ai tha se është grushtuar nga 3 persona, në lagjen “Bregu i Diellit” përderisa ishte duke hyrë në një kafene.

Syla tha se ai bashkë me kolegun e tij, Ilir Mirenën, me të cilin ishte në makinë, janë ndjekur nga studiot e T7 deri në vendin e ngjarjes, që e bën të besojë se sulmi ka qenë i paramenduar.

Dyshimet e tij janë se kjo ka ndodhur për shkak të disa postimeve që ai i ka bërë duke kritikuar me doza humori hoxhën Mazllam Mazllami nga Prizreni për shkak, se siç thotë Syla, atij i është dhuruar një veturë e tipit “Mercedes” nga disa besimtarë myslimanë.

“Më është afru një djalë ndoshta afër të 30-tave dhe më thotë “A bën veç pak këtu?”. Edhe si e kam pa që ka mjekër e kam ditë që paskan dalë euforikisht për ndonjë sulm” – tregoi Syla.

Pas sulmit, ai tha se i ka telefonuar Policisë, e cila e ka thirrur Ndihmën e Shpejtë, për ta dërguar më pas në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Sjelljet e Policisë dhe mjekëve, siç thotë gazetari, kanë qenë shumë profesionale.

Për shkak të lëndimeve, kryesisht në krah dhe në kokë, të shkaktuara nga grushtimet dhe nga ora në dorën e njërit prej sulmuesve, Syla tha se është qepur me dy penj në kokë, ndërsa krahun e ka të mavijosur.

“Arsyeja pse e kam nisë këtë është pikërisht një sjellje e pakuptimtë e imamit të Prizrenit, Mazllam Mazllami, të cilin e njoh prej rasteve kur është hetu për rekrutim dhe nxitje të të rinjve për luftim në Siri nga 2014 deri në 2017-tën kur ka përfundu procesi gjyqësor” – tha Syla teksa shpjegonte zanafillën e rastit.

Reagimi i tij për imamin në fjalë, ai tha se ka ardhur pasi që ka parë në media sociale një video ku ai impononte islamizëm te gazetarët.

4 statuset e tij në Facebook, prej të cilave 2 janë me video, kanë pasur kritikë e ironi.

Syla tha se ky rast ka krijuar shqetësim edhe te familja e tij dhe pyeti se çfarë do të kishte ndodhur nëse ai do të ishte vetëm dhe të tjerët të mos reagonin, në rastin e sulmit.

Ai tha se nuk ka pritur një sulm të tillë dhe nuk ka marrë ndonjë kërcënim serioz gjatë ditës.

Gjatë emisionit u publikuan edhe pamje të sulmit nga brenda lokalit, ku shihet Valon Syla që hyn brenda pas sulmit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pak minuta më parë ka bërë të ditur se janë arrestuar tre persona për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.

“Pas një pune intenzive të Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla. Përgëzoj Policinë e Kosovës për përkushtimin dhe profesionalizmin që garanton siguri për të gjithë si dhe sundim të rendit dhe ligjit”- ka njoftuar Sveçla.