Gjykata shpall vendimin për të akuzuarit që rrahën gazetarin Valon Syla

Lum Dervishi, Okan Hasani dhe Kenan Hasani janë dënuar nga Gjykata e Prishtinës lidhur me rrahjen që tre të akuzuarit sipas prokurorisë i kishin bërë gazetarit Valon Syla më 11 prill të këtij viti në Prishtinë.

Gjykata për lëndim të lehtë trupor mori vendim dhe tre të akuzuarit secilin veç e veç i dënoi e nga dy vite dënim me burgim.

Gjykata refuzoi kërkesën pasurore juridke të të dëmtuarit me arsyen se nga të dhënat e grumbulluara nuk ka bazë të vendosje të plotë apo të pjeshme. Kjo kërkesë ishte bërë nga mbrojtësi i Valon Sylës, duke kërkuar 30 mijë euro dëmshpërblim.

Sipas Kodit Penal kjo vepër për të cilën akuzohen të pandehurit dënohet prej 6 muaj deri në 3 vjet dënim me burgim.

“Kur vepra penale nga ky nen kryhet ndaj viktimës së ndjeshme, ose është e motivuar sipas kombësisë, gjuhës, besimit fetar ose mungesës së besimit fetar, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, ose për shkak të afërsisë me persona me njërën nga këto karakteristika të mbrojtura kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet për veprën penale nga paragrafi 1. i këtij neni”- thuhet në Kodin Penal të Kosovës.

Prezentë në sallë të gjykatës nuk ishin asnjëri nga të akuzuarit, kurse Valon Syla u pa në gjykatë.

Që të tre të akuzuarit në seancën e  21 gushtit të këtij viti janë deklaruan se nuk e mohojnë që kanë kryer veprën për të cilën akuzohen, por që të njëjti ishin shprehur se refuzojnë që të gjykohen me ligje të Kosovës përpos ligjeve të Allahut.

Pas këtyre deklarimeve dy nga tre të akuzuarit për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla kishin refuzuar të ngriten në këmbë në gjykimin ndaj tyre në seancën fillestare të mbajtur ndaj tyre.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, të akuzuarit me datën e lartë cekur në orët e vona të mbrëmjes, për motive ideologjike, ekstreme radikale Islamike, kanë lënduar lehtë të dëmtuarin Valon Syla.

Pas një publikimi që ky i fundit kishte bërë në rrjetin e tij social në Facebook, e që kishte të bënte me profetin Muhamed.

Të njëjtit e kishin përcjellë të dëmtuarin nga televizioni T7, deri në restorantin në lagjen Bregu i diellit “Imagine”, ku kanë filluar ta sulmojnë me grushte në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.

Kështu i njëjti ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Kështu të njëjtit sipas Prokurorisë Speciale kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor në bashkëkryerje.