Foto: KALLXO.com

Gazetari Valon Syla rrëfen në Gjykatë momentin kur ishte rrahur nga tre të akuzuarit

Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës.

Prokuroria Speciale po i akuzon për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.

Sikur në seancën fillestare të 21 gushtit të këtij viti, të pandehurit nuk pranuan që të ngrihen në këmbë dhe thanë se mbesin pranë deklarimeve që kishin bërë në seancën e kaluar.

Por, lidhur me këtë rast, pas leximit të fjalëve hyrëse nga palët, radha për të rrëfyer ngjarjen e kishte i dëmtuari Valon Syla.

Syla tregoi se pasi kishte përfunduar debatin në televizionin “T7” së bashku me Ilir Mirenën dhe prezantuesin e emisionit “Pressing”, Leonard Kërquku, ishin dakorduar që të dalin për qejf dhe të pijnë nga një.

Sipas të dëmtuarit, me të arritur në lagjen “Bregu i Diellit”, në lokalin “Imagine”, ai së bashku me Ilir Mirenën kishin zbritur nga vetura dhe ishin nisur për të hyrë në lokal, por nuk ia kishte dalë të futej brenda.

Pasi që, sipas të dëmtuarit, një person i ishte afruar dhe i kishte bërë një pyetje. Me të parë personin, Syla tha se kishte filluar të vrapojë për në lokal, kishte rrëshqitur në kubëza, dhe nga goditja që tashmë i akzuauri Lum Dervishi i kishte dhënë kishte humbur balancin dhe ishte rrëzuar në tokë.

”Një person me dukje islamik radikal, personi është dukur me flokë të gjata. Më ka thirrë: “M’fal a bon veç pak qitu?”. Ilir Mirena ka mbetë mbrapa meje si të themi nja 10 metra, ose 5 metra, s’jam i sigurt saktësisht, veç 5-10 metra dhe kam rrëshqitë në ato si të themi kubëzat e lagështa që kanë qenë pak nga moti dhe dera hapet pra në anën e krahut kështu, jashtë, dhe aty më kanë nxënë me goditje nga mbrapa në kokë personi që tash këtu është Lum Dervishi atëherë ka qenë siç e shpjegova më herët dhe pastaj dy personat e tjerë as nuk i kam pa sepse kam qenë i rrëzuar në shkallë të lokalit, pra dy personat e tjerë në atë kohë as nuk i kam parë, dhe vetëm kam bërtitur për ndihmë që të më dëgjojnë brenda lokalit”- u deklarua Syla.

Valon Syla tha se me sa i kujtohet dy veta kishin vazhduar ta godisnin kurse njërin prej tyre e kishte larguar Ilir Mirena. Përderisa sulmi ndaj tij kishte vazhduar për 20 sekonda.

Syla tha se atë ditë kishte qenë lajmi se si një hoxhë nga Prizreni ishte shpërblyer me një “Mercedes” ndërsa postimi i tij në Facebook kishte të bënte pikërisht me këtë temë.

“Ka qenë edhe një kritikë tjetër për maraklitë e kerreve për stilet e hoxhallarëve që sillen si repera që ta çojnë mallin e rep-këngëtarëve amerikanë dhe pas kësaj ka pasu edhe një barcoletë për Jezu Krishtin dhe profetin Muhamed”- deklaroi Syla.

Sipas Valon Sylës, sulmi që kishin bërë tre të akuzuarit ndaj tij kishte qëllime terroriste.

“Jam gazetar 25 vjet me përvojë në Kosovë për Kosovë dhe jashtë vendit, dua ta theksoj se sulmi ka tendenca terroriste me qëllim të frikësimit të  njerëzve të opinionit publik” – tha Syla.

Në këtë seancë, mbrojtësit e të akuzuarve kërkuan që atyre t’u ndërrohet masa e arrestit shtëpiak me ndonjë masë tjetër. Por, prokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu, iu kundërpërgjigj mbrojtjes së të akuzuarve, duke i pyetur se si do të garantojnë që të akuzuarit do të vijnë në seancat e radhës meqë kur ata kanë deklaruar se nuk e njohin Gjykatën.

Pas dëgjimit të palëve në procedurë, Gjykata refuzoi propozimin e mbrojtësve të të akuzuarve që të zëvendësohet masa e arrestit shtëpiak në ndonjë masë tjetër.

Në këtë seancë si dëshmitar u dëgjua edhe Ilir Mirena.

Seanca e radhës për këtë rast nga Gjykata në përbërje të Violeta Namanit- kryetare, Musa Konxhelit dhe Arben Hotit- anëtarë, u caktua të mbahet më 4 dhjetor të këtij viti.

Që të tre të akuzuarit në seancën e 21 gushtit të këtij viti kanë deklaruar se nuk e mohojnë që kanë kryer veprën për të cilën akuzohen, por që të njëjti ishin shprehur se refuzojnë që të gjykohen me ligje të Kosovës përpos ligjeve të Allahut.

Pas këtyre deklarimeve dy nga tre të akuzuarit për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla kishin refuzuar të ngrihen në këmbë në gjykimin ndaj tyre në seancën fillestare të mbajtur ndaj tyre.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, të akuzuarit në ditën e lartcekur, në orët e vona të mbrëmjes, për motive ideologjike, ekstreme radikale islamike, kanë lënduar lehtë të dëmtuarin Valon Syla.

Sulmi dyshohet se kishte ndodhur pas një publikimi që Syla kishte bërë në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, e që kishte të bënte me profetin Muhamed.

Të njëjtit e kishin përcjellë të dëmtuarin nga televizioni “T7”, deri në restorantin “Imagine” në lagjen “Bregu i Diellit”, ku kanë filluar ta sulmojnë me grushte në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. Kështu i njëjti ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Ndaj tyre, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për veprën penale – lëndim i lehtë trupor në bashkëkryerje.