Foto: Talat Xhaferi/ Fcb

Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në sytë e krerëve të Sllovenisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Forumi ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën organizimin e presidentes, Vjosa Osmani, ndër mysafirë special ka pasur edhe krerë shtetesh.

Të pranishëm në këtë Forum ishin presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ministra, ambasadorë si dhe pjesëmarrës tjerë të shumtë.

Presidentja e Sllovenisë e ka theksuar situatën e të drejtave të vajzave dhe grave në botë dhe ka parashikuar se nuk mund të arrihet barazi gjinore në një të ardhme të afërt.

Kurse, presidenti i Shqipërisë ka përmendur kontributin e grave shqiptare në politikë.

E kryeministri i Maqedonisë së Veriut, përveç që ka ndarë disa statistika të pjesëmarrjes së grave në siguri e qeverisje në shtetin të cilin e qeverisë, i ka kushtuar rëndësi edhe trajtimit të çështjeve gjinore në këtë vend.

Presidentja Musar, është shprehur e shqetësuar për situatën e grave dhe vajzave në botë, pasi sipas saj, pabarazia gjinore është një veçori e merzitshme, por e dukshme e civilizimit tonë.

Në këtë rast, Musar ka përmendur një raport të Kombeve të Bashkuara, me ç’rast ka ndarë disa nga përfundimet e tij.

“Një raport i viti 2018 i Kombeve të Bashkuara thotë se gratë shpesh janë të parat që mbesin të uritura kur familjet nuk kanë akses në ushqim të mjaftueshëm. Një vajzë e lindur në një familje të varfër e detyruar në martesë të hershme ka rrezik të madh ta lë shkollën, të lindë fëmijë herët, vështirësi dhe komplikime në lindje dhe përjeton dhunë në familje” – ka thënë presidentja Musar.

Si rezultat i kësaj situate, Musar beson se nuk mund të arrihet barazi gjinore në një të ardhme të afërt. Ajo tha se mund të mos presim të arrihet barazia gjinore as në vitin 2130.

Në këtë rast, ajo ka përmendur situatën e të drejtave të vajzave në Siri, Jemen, Afganistan dhe Ukrainë. Kurse, për Slloveninë ka thënë se ka një politikë feministe të jashtme në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare.

“Sllovenia ka një politikë feministe të jashtme në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare. Si një anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara ne i shohim të gjitha problemet në agjendën e KS të Kombeve të Bashkuara nga një këndvështrim gjinor. Sigurisht, agjenda e Grave, Paqes dhe Sigurisë është një nga prioritetet e punës në Këshill” – ka deklaruar Musar.

Më tej, Musar ka përmendur faktin se në Europë janë gjashtë presidente: ajo së bashku me Osmanin dhe katër presidentet e tjera në Greqi, Maltë, Moldavi dhe Gjeorgji.

“Ne jemi duke ndërtuar rrugën për të gjitha vajzat dhe gratë pas nesh dhe do të doja ta inkurajojë çdo vajzë, grua që ta ndjekë rrugën që duan dhe prindërit duhe t’i mbështesin, sidomos baballarët” – ka theksuar Musar.

Në anën tjetër, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj e ka konsideruar Forumin jo vetëm si kujtim kolektiv, por si burim për shpresë.

“Sot jemi mbledhur në Kosovë për të riafirmuar dedikimin tonë të fuqishëm për bashkëpunim, progres dhe zhvillim të qëndrueshëm të cilat janë të gjitha jetësore për të nxitur paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Ky Forum shërben jo vetëm si një kujtim kolektiv, duke ruajtur historitë e dhunës historike dhe të vazhdueshme kundër grave gjatë konflikteve, por po ashtu edhe si burim për shpresë” – ka thënë Begaj.

Sipas presidentit Begaj, gratë në Shqipëri kanë një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e dialogut.

Begaj ka vlerësuar se të dyja shtetet shqiptare kanë pasur progres në sigurimin e përfaqësimit të grave në politikë.

“Të dyja, Shqipëria dhe Kosova kanë pasur një progres të rëndësishëm në sigurimin e përfaqësimit të lartë të grave në jetën politike, institucionet shtetërore, mbrojtje dhe siguri” – tha Begaj.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka thënë se në Maqedoni të Veriut e mbështesin agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

“Është e padiskutueshme se çështjet gjinore në Maqedoninë e Veriut në masë të madhe po fitojnë hapësirë dhe po bëhen një nga prioritetet përmes reformave që Qeveria filloi të zbatojë në vitin 2017 dhe menjëherë para anëtarësimit tonë të plotë në NATO” – ka thënë kryeministri Xhaferi.

Ai ka ndarë disa të dhëna, sipas së cilave,  Ministria e Mbrojtjes në Maqedoni të Veriut udhëhiqet nga një ministre dhe 8 gra në këtë shtet kanë gradën ‘kolonel’, numër që sipas tij, deri para një dekade ka qenë 0 apo 1.

“Ne si një anëtare e besueshme e NATO-së e mbështesim çasjen e Aleancës për t’i dhënë rëndësi më të madhe politikës për gratë, paqen dhe sigurinë. Kjo nënkupton përfaqësim dhe pjesëmarrje më të madhe të grave në operacionet dhe misionet civile dhe ushtarake të NATO-së, por edhe promovim më të madh të barazisë gjinore” – ka përfunduar Xhaferi.

Me rastin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Presidenca e Kosovës është përzgjedhur nga SHBA-të për themelimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Katrina Fotovat, zëvendësdrejtore e Sekretarit të shtetit për çështjet e gruas në Departamentin e Shtetit Amerikan dhe presidentja Osmani kanë nënshkruar një dokument, sipas së cilit Kosova është përzgjedhur për themelimin e kësaj Qendre.

Edhe ish- Sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton pasi e ka vlerësuar si të rëndësishëm këtë Forum, është shprehur e kënaqur për bashkëpunimin e Kosovës me Deparatamentin e Shtetit për themelimin e kësaj Qendre në Kosovë.

“Jam e kënaqur që ju do të punoni me Departamentin e Shtetit dhe Insitutin ‘Georgetown’ për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në themelimin e një qendre regjionale të ekselences, për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë. Ky zhvillim i ri do t’iu mundësoj juve dhe regjionit të kuptoni më mirë premtimin e kornizës së Forumit (WPS), themeluar nga USA” – ka theksuar Clinton.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj, ka vlerësuar lartë përmbajtjen dhe qëllimin e këtij Forumi.

Para këtij vlerësimi, ajo ka kujtuar Forumin për Gratë, i cili është mbajtur në vitin 2022.

Në këtë rast, ajo ka ndarë një moment që ka pasur me ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright, në fund të vitit 2022, disa muaj para se ajo të vdiste.

“Si zakonisht ajo (Madeleine Albright) vazhdonte të fliste se çfarë mund të bënte më shumë për Kosovën dhe në atë takim shkëlqeu ideja e parë e një Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, i cili pastaj u bë zyrtarisht një nga angazhimet tona kyqe. Fatkeqësisht sekretarja Albright ndërroi jetë, por përmes këtij Forumi ne gjithmonë do të sigurohemi se trashëgimia e saj e fuqizimit të grave në Kosovë dhe çdo kund në botë do të vazhdojë” – tha presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se frymëzohet nga gratë e Kosovës, siç i ka quajtur ajo “guximtare”.

Presidenca e Kosovës kishte njoftuar se forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, do të mbahet më 15 dhe 16 prill 2024, në Prishtinë, ku do të marrin pjesë personalitete të shumta të jetës politike, shkencore, kulturore dhe nga shoqëria civile nga vende të ndryshme të botës.

Me iniciativë të presidentes Osmani, më 22.10.2022 dhe 23.10.2022, në Prishtinë i zhvilloi punimet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një organizim i pari i këtij lloji në historinë e Kosovës.