Katrina Fotovat nga Departamenti i Shtetit Amerikan në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
SHBA-të ia besojnë Presidencës së Kosovës themelimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
Presidenca e Kosovës është përzgjedhur nga SHBA-të për themelimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Kjo është arritur me rastin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që është mbajtur më 15.04.2024, nën organizimin e presidentes, Vjosa Osmani.
Katrina Fotovat, zëvendësdrejtore e Sekretarit të shtetit për çështjet e gruas në Departamentin e Shtetit Amerikan dhe presidentja Osmani kanë nënshkruar një dokument, sipas së cilit Kosova është përzgjedhur për themelimin e kësaj Qendre.
Gjatë fjalimit të saj, Fotovat e quajti presidenten Osmani “një heroinë e Grave, Paqes dhe Sigurisë” dhe e vlerësoi agjendën e Forumit.
“Ne jemi këtu për të njohur Kosovën si një ‘shembull i ndritshëm’ i implementimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në të gjitha nivelet e politikëbërjes dhe praktikës, në të gjitha fushat e qeverisë dhe shoqërisë” – ka deklaruar Fotovat.
Edhe ish- Sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton pasi e ka vlerësuar si të rëndësishëm këtë Forum, është shprehur e kënaqur për bashkëpunimin e Kosovës me Deparatamentin e Shtetit për themelimin e kësaj Qendre në Kosovë.
“Jam e kënaqur që ju do të punoni me Departamentin e Shtetit dhe Insitutin ‘Georgetown’ për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në themelimin e një qendre regjionale të ekselences, për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë. Ky zhvillim i ri do t’iu mundësoj juve dhe regjionit të kuptoni më mirë premtimin e kornizës së Forumit (WPS), themeluar nga USA” – ka theksuar Clinton.
Presidenca e Kosovës kishte njoftuar se forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, do të mbahet më 15 dhe 16 prill 2024, në Prishtinë, ku do të marrin pjesë personalitete të shumta të jetës politike, shkencore, kulturore dhe nga shoqëria civile nga vende të ndryshme të botës.
Përveç presidentes së vendit, Vjosa Osmani, të pranishëm në këtë Forum janë edhe presidentja e Sllovenisë – Natasha Pirc Musar, presidenti i Shqipërisë – Bajram Begaj, kryeministri i Maqedonisë së Veriut – Talat Xhaferi, ministra, ambasadorë dhe të tjerë pjesëmarrës.
Në ceremoninë hapëse të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj, ka vlerësuar lartë përmbajtjen dhe qëllimin e këtij Forumi.
Para këtij vlerësimi, ajo ka kujtuar Forumin për Gratë, i cili është mbajtur në vitin 2022.
Në këtë rast, ajo ka ndarë një moment që ka pasur me ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright, në fund të vitit 2022, disa muaj para se ajo të vdiste.
“Si zakonisht ajo (Madeleine Albright) vazhdonte të fliste se çfarë mund të bënte më shumë për Kosovën dhe në atë takim shkëlqeu ideja e parë e një Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, i cili pastaj u bë zyrtarisht një nga angazhimet tona kyqe. Fatkeqësisht sekretarja Albright ndërroi jetë, por përmes këtij Forumi ne gjithmonë do të sigurohemi se trashëgimia e saj e fuqizimit të grave në Kosovë dhe çdo kund në botë do të vazhdojë” – tha presidentja Osmani.
Presidentja Osmani ka thënë se frymëzohet nga gratë e Kosovës, siç i ka quajtur ajo “guximtare”.
“Derisa bashkohemi për të diskutuar për këto çështje jetësore, unë marrë frymëzim të thellë nga gratë guximtare të Kosovës, shumica e të cilave janë me ne sot. Ato e kanë orientuar shtetin tonë përmes kohëve tona më të rënda deri në rrugën duke u bërë arkitekte të paqes” – ka thënë Osmani.
Me iniciativë të presidentes Osmani, më 22.10.2022 dhe 23.10.2022, në Prishtinë i zhvilloi punimet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një organizim i pari i këtij lloji në historinë e Kosovës.