Ferizaj, 2 të arrestuar për mashtrim, dyshohet se u morën para disa personave për t'u siguruar kontrata të punës jashtë vendit

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike në koordinim me Prokurorinë e Ferizajt kanë njoftuar se kanë arrestuar një grua dhe një burrë të dyshuar për mashtrim me sigurimin e kontratave të punës jashtë vendit.

Sipas Policisë dyshohet se të njëjtit kanë përfituar rreth 80 mijë euro duke premtuar punësim në Afganistan, Irak e Poloni.

“Të dyshuarit në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje gjatë viteve 2021 – 2022  dyshohet se kanë mashtruar persona të ndryshëm në regjionin e Ferizajt duke u kërkuar para me qellim të punësimit të tyre në Irak, Afganistan dhe Poloni, ku kanë kërkuar nga viktimat para në vlerë prej 2500 deri në 3000 euro me qellim të sigurimit të kontratës së punës në një kompani”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje Policia njofton se të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe i dyshuari me iniciale N.L. me aktvendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa e dyshuara K.L. është liruar në procedurë të rregullt.