Eroll Saliu: FFK bëri shkelje të statutit në momentin e shpalljes së zgjedhjeve

Federata e Futbollit të Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se zgjedhjet për të parin e Federatës do të mbahen më 6 prill.

Shpallja e zgjedhjeve me 6 prill 2022 ka nxitur reagime të shumta.

Dje gjatë ditës nëpër media ka qarkulluar një letër që Erroll Saliu i ka dërguar FFK-së. Në atë letër ai shprehet se mbajta e zgjedhjeve më 6 prill është e kundërligjshme.

KALLXO.com ka kontaktuar Eroll Saliun për të marrë një prononcim lidhur me këtë letër që ai ka dërguar në drejtim të FFK-së.

“Po është e vërtetë, unë letër i kam dërguar Komitetit Ekzekutiv, aktualisht jam këshilltar ligjor i FFK-së dhe si këshilltar ligjor mendoj që zgjedhjet më 6 prill janë kundër statutit të FFK-së”, ka thënë Saliu për KALLXO.com

Në kuvendin zgjedhor që pritet të mbahet më 6 prill, të drejtë vote kanë 59 delegatë. Secili nga kandidatët për të paraqitur kandidaturën i duhen gjithsej 15 nënshkrime të delegatëve të lartcekur. Të gjithë delegatët kanë të drejtë vetëm një nënshkrim.

Për të parin e FFK-së po garojnë katër kandidatë: Agim Ademi, Arianit Ahemti, Remzi Ejupi dhe Nexhat Dumnica.