Kombëtarja e Kosovës në futboll | Foto: FFK

FFK dhe futbollistët e kombëtares dhurojnë 35 mijë euro për ‘Fondin e Sigurisë’

Federata e Futbollit të Kosovës bashkë me ekipin kombëtar kanë dhuruar 35 mijë euro në “Fondin e Sigurisë” që u themelua para disa javëve.

Sipas FFK-së, 50% të këtyre fondeve janë dhënë nga buxheti i federatës, ndërsa 50% tjeër është dhënë nga mjetet e futbollistëve të kombëtares së Kosovës.

“Federata e Futbollit e Kosovës dhe ekipi Kombëtar kanë ndarë 35 mijë euro për Fondin e Sigurisë, që javë më parë është hapur nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Në këtë shifër të ndarë për ushtrinë e vendit, me 50 përqind të mjeteve ka kontribuar FFK dhe anëtarët e KE-së, derisa 50 përqind janë grumbulluar nga mjetet vetanake të futbollistëve të Kombëtares”. thuhet në njoftimin e FFK-së.

Qeveria e Kosovës me 1 mars themeloi “Fondin e Sigurisë së Kosovës”.

Sipas qeverisë, mjetet financiare të mbledhura synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria.

“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, ishte shprehur Kurti.