
Vokrri publikon nënshkrimet e kontestuara nga komisioni për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të FFK-së
Gramoz Vokrri ka bërë publike nënshkrimet e tre ekipeve, FC Prishtina, KF Ulpiana 1926 dhe KF Kika, nënshkrime këto të kontestuara nga komisioni për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të FFK-së.
Vokrri e ka quajtur komisionin për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të FFK-së “komision fantom”.
“Komisioni fantom i « pavarur » brenda FFK-së vendos të refuzoj nënshkrimet e deponuara. Një gjë të tillë e bën jashtë çdo afati dhe normë statutare. Kjo tregon qartë tendencën e kundër kandidatit për të eliminuar me çdo kusht konkurrencën dhe frymën demokratike të këtij procesi”, ka shkruajtur Vokrri.
Komisioni në vendimin e publikuar sot ka thënë se nënshkrimet e tre klubeve FC Prishtina, KF Ulpiana 1926 dhe KF Kika janë kontestuese.
“Pas verifikimit të nënshkrimeve është konstatuar që nënshkrimet e FC Prishtinës, KF Ulpiana 1926 dhe KF Kika kanë qenë kontestuese”, thuhet në vendimin e komisionit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të FFK-së.
Mirëpo Vokrri e ka kundërshtuar këtë arsyetim të këtij komisioni dhe ka bërë publike nënshkrimet e këtyre klubeve.
“Në arsyetimin FFK-së kontestohen nënshkrimet e KIKËS, ULPIANËS dhe PRISHTINËS. Të bashkangjitura keni faktet që dëshmojnë të kundërtën. Këto nënshkrime kanë emra, mbiemra dhe vendime nga klubet e tyre”, ka thënë Vokrri.
Gramoz Vokrri ka folur edhe për KALLXO.com pas refuzimit të kandidaturës së tij.