Diplomimi i 446 kadetëve, Osmani: 5 policë po mbahen peng nga Serbia, aleatët tanë të ngrisin zërin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani u bëri thirrje aleatëve ndërkombëtarë që t’i rrisin përpjekjet dhe t’i “ndalin mizoritë” nga ana e Serbisë, pasi pesë policë të Kosovës vazhdojnë të jenë të ndaluar nga autoritetet serbe.

Këtë thirrje ajo e bëri gjatë ceremonisë së diplomimit të 446 kadetëve të Policisë së Kosovës.

E para e shtetit tha se betimi i sotëm i këtyre kadetëve është përgjigja më e fuqishme kundrejt përpjekjeve të tilla të Serbisë.

“Në këtë momente pesë policë po mbahen peng nga një shtet shovinist- nga Serbia. I bëjmë thirrje aleatëve tanë që ta ngrisin zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që t’i ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve dhe policëve tonë. Por jam e bindur se betimi i sotëm dhe gjithë këta kadetë janë përgjigja më e fuqishme kundrejt përpjekjeve të tilla. Në duart e juaja qëndron e ardhmja e qytetarëve tanë” – tha presidentja Osmani, më 18.04.2024

Ndërlidhur më këtë foli edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili tha se ceremonisë së sotme po i mungon zëvendësdrejtori, Dejan Jankoviq.

“Policia jonë gëzon mirënjohje dhe vlerësim nga shoqëria jonë. Ceremonisë së sotme po i mungon zëvendësdrejtori Dejan Jankovic i cili dje është ndalur dhe po mbahet pas asnjë arsyetim ashtu siç po mbahen edhe katër zyrtar tjerë policor. Ky është sulm i drejtpërdrejt ndaj pjesëtarëve të vet komunitetit serb që gjejnë vullnetin dhe guximin të na bashkohen në rrugën e përbashkët. Në sfidat që mund të ballafaqoheni ne jemi mbështetja juaj. Të gjithë ju bartni një mision fisnik”- tha Sveçla.

17.04.2024, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës njoftoi se 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serbë) janë ndaluar në kalimet kufitare Merdarë, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Por, vetëm pesë nga ta janë liruar ndërsa pesë ndodhen akoma në mbajtje, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë, Dejan Jankoviq.

Në anën tjetër, Albin Kurti, kryeministri i Kosovës përshkroi ndjenjën e tij në ceremonitë e diplomimit të Policisë dhe të ushtarëve teksa kërkoi nga ta që ta respektojnë uniformën.

“Është gjithmonë ndjenjë e veçant sa herë bashkohem në ceremonitë e diplomimit të Policëve ashtu si edhe ushtarëve të Kosovës sepse u takojnë institucioneve që kujdesen ditë e natë për rendin e ligjin. Sivjet Policia mbush çerek shekulli. Republika e Kosovës rri mbi shtyllat e progresit të vazhdueshëm. Nga sot, pasi të jeni betuar ëndrra e juaj e dikurshme do të kthehet në realitet. Respektojeni dhe nderojeni uniformën ashtu siç jeni trajnuar. Paçi karrierë të mbarë” – ka thënë shefi i ekzekutivit kosovar.

Mbahet ceremonia e diplomimit të 446 kadetëve të Policisë së Kosovës
Mbahet ceremonia e diplomimit të 446 kadetëve të Policisë së Kosovës
Foto: Arjana Berisha/ KALLXO.com
18.04.2024
Mbahet ceremonia e diplomimit të 446 kadetëve të Policisë së Kosovës
Foto: Arjana Berisha/ KALLXO.com
18.04.2024