MPB dënon ndalimin nga autoritetet serbe të zv.drejtorit të Policisë së Kosovës dhe të disa policëve

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka njoftuar se në bazë të informacioneve që posedon deri më tani kanë qenë 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serbë) të cilët janë ndaluar në kalimet kufitare Merdarë, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.

Sipas njoftimit, pesë nga ta janë liruar ndërsa pesë ndodhen akoma në mbajtje, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë, Dejan Jankoviq.

Sipas Ministrisë, që nga mëngjesi i sotëm është duke u mbajtur në ndalim pa asnjë sqarim edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Dejan Jankoviq.

“Sipas informacioneve që posedojmë, Zëvendësdrejtori Jankovic është dërguar në Rashkë dhe duke njohur këtë praktikë të përsëritshme të Serbisë ndaj qytetarëve dhe zyrtarëve policor, i njëjti intervistohet nga akterë të ndryshëm shtetërorë të Serbisë”- thuhet në njoftim.

MPB ui ka bërë thirrje autoriteteve të Serbisë për lirim të menjëhershëm të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të ndaluar pa asnjë arsyetim dhe në shenjë hakmarrjeje për Republikën e Kosovës.

Ndërsa ka kërkuar nga i gjithë faktori ndërkombëtar të dënohet fuqishëm kjo sjellje e Serbisë karshi qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, MPB u ka bërë thirrje qytetarëve për shmangie të udhëtimit përmes Serbisë duke pasur parasysh situatën e sigurisë dhe gjuhën e vazhdueshme kërcënuese të Serbisë.

“Ky akt i Serbisë duke i’u ndaluar lëvizjen dhe duke i maltretuar për mbi 20 orë qytetarët tanë pa dallim moshe dhe gjinie, shkelë çdo normë njerëzore e mbi të gjitha është shkelje flagrante e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes mes Kosovës dhe Serbisë”-thuhet në njoftim.

Sipas MPB-së, Serbia ka aktivizuar metodat e saj të hakmarrjes duke keqtrajtuar sot qytetarët pas fitores së djeshme të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku me shumicë votash u miratua Raporti i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është pyetur në një konferencë për media nëse është liruar zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, për të cilin gjatë ditës u raportua se është dërguar në Rashkë dhe po keqtrajtohet atje.

Gërvalla tha se ende nuk e ka konfirmuar informacionin nëse Jankoviq është liruar.

“Ende nuk e kemi informacionin e konfirmuar që zëvendësdrejtori i Policisë është liruar dhe prandaj ju lus për pak durim që në bashkëpunim me MPB-në të mund të ju japim informacionin e saktë kur edhe ta kemi verifikuar”- deklaroi Gërvalla.

Gërvalla thotë se nuk ka informata nëse është liruar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq