Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputeti i LVV-së kritikon opozitën për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Deputeti i LVV-së, Armend Muja, ka kritikuar partitë opozitare për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke thënë se për këtë çështje nuk do të duhej të kishte mospajtim.

Sipas tij, në të kaluarën ka pasur praktikë të mirë të votimit të këtyre marrëveshjeve.

Muja tha se që nga muaji mars është vërejtur tendencë nga opozita për të mos i votuar ato.

“Në të kaluarën ka pasur një praktikë të mirë të votimit të marrëveshje ndërkombëtare edhe në kohët më të liga. Nuk e di se si mendojnë ta bëjnë këtë. Marrëveshjet kërkojnë 2/3 e votave. Këtu nuk kemi asgjë politike, në kushte normale nuk do të duhej të kishte mospajtim. Kemi vërejtur një tendencë që nga marsi, partitë opozitare nuk i votojnë pa dhënë ndonjë arsye pse nuk i votojnë”- tha ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ndërsa ka shtuar se në rendin e ditës, tri marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme, “ndër to është linja hekurudhore 10, e dyta është ngrohja qendrore e Prishtinës dhe e treta është rrjeti energjetik, apo investimi i Qeverisë gjermane për KOSTT-in”.

Ndërsa, kryetari i deputetëve të PDK-së, Ableard Tahiri, ka thënë se nuk ka kuptim të votohen këto marrëveshje përderisa Kosova vazhdon të jetë e sanksionuar.

“Nuk ka kuptim që ato marrëveshje ndërkombëtare të votohen kur një numër i marrëveshjeve ndërkombëtare janë suspendu në raport me Kosovën, me fondet e IPA-së. Kosova vazhdon të jetë në sanksione, ato nuk kanë mundësi të realizohen në situatën në të cilën jemi” – ka thënë ai.

“PDK nuk e ka ndërru qëndrimin se nuk janë heq sanksionet, normalisht që nuk do t’i votojmë”- ka shtuar Tahiri.

Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seancë plenare këtë javë, një të re dhe një për të shqyrtuar pikat e papërfunduara.

Përveç ligjeve e votimeve tjera, në rend të ditës janë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

Kuvendi i Kosovës mban dy seanca këtë javë