Arkiv - Kuvendi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Kuvendi i Kosovës mban dy seanca këtë javë

Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seancë plenare këtë javë, një të re dhe një për të shqyrtuar pikat e pa përfunduara.

Kështu ka bërë të ditur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja i cili tha se këtë javë ka gjasa që Kuvendi të vazhdojë punimet edhe ditën e premte.

Ai tha se në mbledhjen e Kryesisë kanë pasë dakordim mes grupeve parlamentare që në seancë të trajtohen pyetjet parlamentare të deputetëve.

Përveç ligjeve e votimeve tjera, Muja ka bërë të ditur se në rend të ditës janë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

Ai tha se për këto nuk do të duhej të kishte mospajtim nga partitë opozitare.

“Në të kaluarën ka pasur një praktikë të mirë të votimit të marrëveshje ndërkombëtare edhe në kohet më të liga. Nuk e di se si mendojë të bëjnë këtë. Marrëveshjet kërkojnë 2/3 e votave. Tash i kemi tri marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme, ndër to është linja hekurudhore 10, e dyta është ngrohja qendre e Prishtinës dhe e treta është rrjeti energjetik, apo investimi i Qeverisë gjermane për KOSTT-in. Këtu nuk kemi asgjë politike në kushte normale nuk do të duhej të kishte mospajtim. Kemi vërejtur një tendencë nga opozita, nuk i votojnë pa dhënë ndonjë arsye pse nuk i votojnë”- tha ai.

Kuvendi i Kosovës, javën e kaluar ka diskutuar për situatën në veri pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Përmes një rezolute, Kuvendi e ka dënuar me termat më të ashpër sulmin terrorist i sulmuesve serbë mbi Policinë e Kosovës me datë 24 shtator 2023 dhe kërkoi nga faktori ndërkombëtar ta ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar shtetin e Serbisë me rolin e saj në ketë rast.