Ulëset e dëmtuara të fushës sportive në fshatin Gadime e Ulët, Lipjan, Foto: Komuna e Lipjanit/Facebook

Dëmtimi i ulëseve në fushën sportive në Gadime të Ulët, reagon kryetari Imri Ahmeti

Komuna e Lipjanit përmes disa fotografive dhe një videoje në faqen e saj zyrtare në Facebook, ka publikuar një reagim të kryetarit të kësaj komune, Imri Ahmeti për disa ulëse të një fushe sportive, të cilat dyshohet se janë dëmtuar nga një person.

Në videon e publikuar nga komuna e Lipjanit më 05.04.2024, shihet një person i cili thyen një ulëse të fushës sportive, derisa një numër i ulëseve të dëmtuara të kësaj fushe shihen edhe në fotografitë e publikuara nga komuna.

“Para pak ditësh kjo sjellje tek fushat sportive për ne është e papranueshme dhe duhet të dënohet nga të gjithë. Kryetari Ahmeti apelon tek të gjithë qytetarët që të kujdesen sa më shumë për ruajtjen e investimeve publike” – thuhet në reagimin e Ahmetit, më 05.04.2024.

Në një bisedë për KALLXO.com kryetari Ahmeti ka thënë se dëmtimi i ulëseve ka ndodhur në fushën sportive të fshatit Gadime e Ulët, në afërsi të shkollës fillore “Ernest Koliqi”.

Sipas Ahmetit, në lidhje me dëmtimin e ulëseve janë njoftuar më herët, porse nuk kanë pasur dëshmi se kush i kishte dëmtuar.

Ai ka thënë se më 05.04.2024 kanë pranuar videon ku shihet personi duke dëmtuar ulësen e fushës, video të cilën e kanë dorëzuar në Polici.

“Jemi informuar më herët, ka ndoshta 10 ditë, por nuk kemi pas ndonjë dëshmi. Sot na ka rrjedhë ajo foto, video që e patë edhe e kemi çu në Polici të Lipjanit, çka kanë bo ata nuk e di gjatë ditës” – ka treguar Ahmeti, më 05.04.2024.

Sipas tij, Policia ka reaguar menjëherë, ndërsa KALLXO.com e ka pyetur Policinë e Kosovës për këtë rast, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

“Policia është marr me rastin menjëherë gjatë ditës, nuk e di deri ku kanë mbërri. E di që kanë reaguar menjëherë” – ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka njoftuar po ashtu se kjo nuk është fusha e parë që dëmtohet dhe se ka raste tjera në fshatrat e Lipjanit që kanë ndodhur, në mesin e tyre ka përmendur fshatin Dobrajë të Madhe.

Qëllimi se pse ka reaguar për dëmtimin e fushës sportive, Ahmeti tha se është për shkak të ndërgjegjësimit dhe kërkimit të ndihmës nga qytetarët që t’i mbështesin dhe jo t’i dëmtojnë fushat në të cilat komuna investon.

“Ideja e publikimit është thjeshtë me kërku një ndërgjegjësim kolektiv të publikut lipjanas, qytetarëve të Lipjanit. Me qëllim me na ndihmu m’i denoncu rastet e tilla që mos të dëmtohen pastaj kështu siç e patë edhe vet” – ka përfunduar Ahmeti.

Ahmeti po ashtu njoftoi se ka marrë leje nga Policia e Kosovës në lidhje me publikimin e videos ku shihet personi i dyshuar duke dëmtuar ulësen e fushës sportive.