Çka tha Daut Haradinaj për Albin Kurtin në gjykimin për rastin “Veteranët”?

Në gjykimin për rastin e njohur si “Veteranët” më 26.02.2024 kanë dëshmuar ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj, dhe tre dëshmitarë të tjerë.

Në këtë proces të akuzuar janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Ata akuzohen se duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme.

Më të filluar dhënien e dëshmisë së tij, Duat Haradinaj kishte vërejtje lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit. Ai tha se ky vendim është marrë nga një gjyqtar i Apelit që ka shërbyer krah Sllobodan Millosheviqit si polic.

Haradinaj i ftuar për të dëshmuar nga ana e mbrojtes tha se anëtarët e komisionit nuk kanë pasur asnjë përgjegjësi, por që përgjegjësia bie mbi komandantë të skuadrave.

“Përgjegjësi nuk kanë pasur anëtarët e komisionit, të gjitha këto përgjegjësi kanë qenë të niveleve të dyta, të treta dhe komandantëve të kompanisë së skuadrave…”- tha Haradinaj.

Tutje Haradinaj tha se nuk ka marrë pjesë në verifikim por se ka qenë përgjegjësi e tij që t’i mbikëqyrë të gjitha nivelet, duke filluar nga komandantë të brigadave.

Haradinaj tutje tha se asnjë aplikacion nuk është pranuar nëse nuk ka pasur nënshkrim paraprak të komandantit që ka udhëhequr me atë njësi.

“Asnjë aplikacion nuk është pranuar nëse nuk e ka pasur nënshkrimin e komandantit të njësisë”- tha tutje Haradinaj.

Daut Haradinaj në një moment e ka quajtur veteran mashtrues tashmë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kjo përgjigje e tij ka ardhur në pyetjen e prokurorit special, Valdet Gashi, se a kishte ndonjë kategori të personave që kanë aplikuar për veteran duke marrë për bazë ligjin sipas të cilit secili person i cili për shkak të veprimtarisë së tij si pjesëtar i UÇK-së gjatë periudhës së vitit 1997-1999 ishte arrestuar dhe ka mbajtur burg nën regjimin e forcave serbe.

Haradinaj tutje tha se as gjenerali Çeku e asnjë anëtar tjetër të akuzuar këtu nuk ka ndërhyrë në nivel të udhëheqësve lokalë në listat e veteranëve.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet nëse është regjistruar ndonjë veteran i cili e ka pasur moshën 13-vjeçare, por që i kujtohet që ka pasur persona që kanë luftuar edhe pse nuk i kanë mbushur 18 vjet.

Pos Haradinajt në këtë seancë u dëgjuan edhe Jahir Demaku, Jetullah Geci dhe Vllaznim Kryeziu, kurse dëshmitarit Gëzim Hazrolli iu pamundësua dhënia e mbrojtjes për shkak të përfundimit të orarit të punës.

Rasti është duke u gjykuar nga gjyqtari Gazment Bahtiri me anëtarët Kushtrim Shyti dhe Ngadhnjim Arni.

Rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 24.03.2022 por që seanca e parë e rigjykimit u mbajt me 31.10.2023.

Kujtojmë që Apeli kishte kthyer lëndën në pikën zero për t’u gjykuar përsëri pas vendimit të Themelores me të cilin i kishte liruar nga akuza të pandehurit për këtë rast.

Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, me në krye Agim Çekun, për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës që ishin pjesë e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit dhe veteranit.

Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit qeveritar në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.

Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.

Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave.

“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe” – kishte shkruar Blakaj.