Foto - KALLXO.com
Cili është plani i partive politike për zgjedhjen e kryeprokurorit dhe për buxhetin e sistemit të drejtësisë?
Përfaqësuesit e partive politike në ‘Debat Përnime’ diskutuan për mënyrën e financimit të sistemit të drejtësisë dhe procedurën e zgjedhjes së kryeprokurorit, në një kohë kur institucionet e drejtësisë përballen me mungesë buxheti dhe kryeprokuror në ushtrim detyre.
Përfaqësuesi i PDK-së, Përparim Gruda, tha se standardi evropian kërkon që institucionet e drejtësisë ta hartojnë vetë buxhetin, ndërsa Kuvendi vetëm ta miratojë.
“Standardi everopian për buxhetin është ky; Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor e hartojnë buxhetin, Kuvendi vetëm e miraton,” – tha ai.
Gruda theksoi se si ish-kryetar i Komisionit për Legjislacion ka mbështetur gjithmonë kërkesat buxhetore të gjyqësorit.
“Unë kam thënë në komision, në mbledhje të incizuara; hajde t’ua japim buxhetin që kërkojnë,” – shtoi ai.
Ai kritikoi mungesën e fondeve aktuale dhe përmendi borxhe në sistem. Sipas tij, problemi nuk është menaxhimi i brendshëm, por mos-ndarja e buxhetit të kërkuar. Gruda foli edhe për procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit, duke sqaruar rolin institucional.
“Kryeprokurorin e propozon Këshilli, e dekreton presidenti,” – tha ai, duke ngritur dyshime për procesin aktual të konkursit:
“Për herë të parë konkursi për kryeprokuror është hapur me letër të presidentes… dhe unë nuk i besoj këtij procesi,” – shtoi ai.
Ndërsa përfaqësuesi i LDK-së, Xhafer Tahiri, ngriti shqetësime serioze për nivelin e financimit të sistemit të drejtësisë, duke argumentuar se buxheti aktual nuk i përgjigjet nevojave reale të institucioneve.
Ai tha se, sipas analizës së tij të buxheteve ndër vite, drejtësia në Kosovë mbetet e nënfinancuar:
“Vetëm 0.48% e buxhetit total shkon për prokurorinë dhe vetëm 0.6% e buxhetit të shtetit shkon për drejtësi,” – tha ai, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me mungesën e efikasitetit në sistemin gjyqësor.
Ai u shpreh se në qeverisjen e LDK-së do të pranohen kërkesat buxhetore të institucioneve të drejtësisë pa ndërhyrje politike.
“Do t’i aprovojmë të gjitha kërkesat buxhetore të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, duke u lënë atyre përgjegjësinë e administrimit,” – tha ai.
Tahiri kritikoi edhe qasjen aktuale të pushtetit, duke thënë se ka mospërputhje mes besimit institucional dhe kufizimit të buxhetit.
Ai shtoi se në pesë vitet e fundit nuk ka pasur investime të mjaftueshme në infrastrukturën e drejtësisë.
Kandidati i AAK-së për deputet, Labinot Bislimi, kritikoi ndërhyrjen politike në sistemin e drejtësisë dhe mënyrën si, sipas tij, është perceptuar roli i institucioneve të pavarura.
Ai tha se është krijuar një keqkuptim institucional gjatë qeverisjes aktuale.
“Vetëvendosja e ka përçuar mesazhin se ministrja e drejtësisë është shefja e KPK-së dhe KGJK-së,” – tha ai.
Bislimi theksoi se kjo qasje, sipas tij, bie ndesh me standardet kushtetuese dhe me rekomandimet ndërkombëtare.
Ndërkaq përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, foli për proceset reformuese në sistemin e drejtësisë gjatë qeverisjes Kurti 2, duke theksuar rolin e tij si ish-zëvendësministër i Drejtësisë.
Ai tha se është punuar për një reformë të quajtur “Plani B” i Vetingut.
“Kemi bërë reformë që lidhet me ligjin për integritetin dhe performancën e gjyqtarëve dhe prokurorëve,” – tha ai.
Qorrolli theksoi se proceset janë zhvilluar në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë.
Ai shtoi se sipas tij, institucionet nuk janë lënë pa mbështetje financiare kur kanë kërkuar rritje të kapaciteteve.
Sipas Qorrollit, sfidat kryesore nuk lidhen me numrin e gjyqtarëve apo prokurorëve, por me organizimin e brendshëm të sistemit.
“Problemi nuk është te rritja e gjyqtarëve, por te çështjet e brendshme dhe organogrami i institucioneve,” – tha ai.
Ai shtoi se institucionet e drejtësisë duhet të mbeten plotësisht të pavarura nga ekzekutivi dhe se roli i presidentit është vetëm formal në këtë proces.