Cilat janë projektet e subjekteve politike për reformimin e sistemit shëndetësor të Kosovës?

Shëndetësia ishte tema e trajtuar në edicionin e sotëm, 24.12.2025, të emisionit “Debat Përnime”, në kuadër të debateve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në debat përfaqësues të katër subjekteve politike prezantuan programet e formacioneve të tyre për reformimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Sfida kryesore në Kosovë konsiderohet mungesa e një sistemi funksional informativ shëndetësor, mosfunksionalizimi i sigurimeve shëndetësore, furnizimi i pasigurt me barna esenciale dhe mungesa e reformave të thella, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme ndër vite.

Në debat morën pjesë Dafina Gexha nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Arbër Tolaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Nisma Socialdemokrate ishte e ftuar, por nuk dërgoi përfaqësues.

Vetëvendosje: Check-up vjetor, decentralizim dhe spitale të reja

Në shpalosjen e programit të Vetëvendosjes për mandatin e ardhshëm, Dafina Gexha tha se synimi kryesor është ndërtimi i një popullate të shëndetshme përmes parandalimit dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

Ajo theksoi se çdo qytetar do të ketë mjekun familjar dhe do të jetë i regjistruar në sistemin e kujdesit parësor shëndetësor, ndërsa nga viti i ardhshëm parashihet fillimi i kontrolleve të plota mjekësore për të gjithë qytetarët, të njohura si total check-up.

“Brenda vitit tash e tutje secili dhe secila do të ketë një kontroll të plotë mjekësor, i cili mundëson parandalimin, detektimin dhe diagnostikimin me kohë të sëmundjeve” – tha Gexha.

Ajo shtoi se pas hyrjes në fuqi të Ligjit për sigurimet shëndetësore dhe kompletimit të sistemit informativ shëndetësor do të hapet rruga për funksionalizimin përfundimtar të sigurimeve shëndetësore. Në aspektin e infrastrukturës, Gexha përmendi ndërtimin e spitaleve të reja në Mitrovicë dhe Ferizaj, hapjen e poliklinikave në disa komuna, decentralizimin e shërbimeve onkologjike dhe ndërtimin e qendrave të reja të dializës.

PDK: Rritje pagash 50%, inteligjencë artificiale dhe sigurime funksionale

Nga ana tjetër, Bekim Haxhiu nga PDK-ja prezantoi një vizion që, sipas tij, parasheh transformim të thellë të sistemit shëndetësor përmes 13 shtyllave strategjike. Ai theksoi se fokusi i PDK-së do të jetë një sistem modern, i digjitalizuar dhe i integruar me inteligjencë artificiale.

Haxhiu kritikoi ikjen e profesionistëve shëndetësorë nga Kosova, duke thënë se mbi 2,900 mjekë dhe infermierë kanë lëshuar vendin në tre vitet e fundit, pavarësisht Ligjit të Pagave.

“Ne propozojmë rritje të pagave për 50 për qind për të gjithë sektorin e shëndetësisë dhe investim serioz në resurset humane” – tha ai, duke shtuar se sigurimet shëndetësore do të funksionalizohen vetëm pasi sistemi të jetë teknikisht dhe ligjërisht i gatshëm.

LDK: Qendër e re spitalore dhe buxhet pa kursime

Armend Zemaj nga LDK-ja e cilësoi shëndetësinë si një nga shtyllat më të ndjeshme të jetës publike. Ai tha se LDK synon ndërtimin e një sistemi efikas, transparent dhe plotësisht të digjitalizuar.

Zemaj theksoi nevojën për ndërtimin e një qendre të re spitalore, që sipas tij do të siguronte stabilitet afatgjatë për sistemin shëndetësor, për dallim nga renovimet e përkohshme. Ai përmendi gjithashtu sigurimet shëndetësore, sistemin informativ, pajisjet moderne dhe menaxhimin e kontraktuar si prioritete kryesore.

“Prioritet i prioriteteve është buxheti. Nuk do të kursejmë asgjë në shëndetësi” – tha Zemaj, duke shtuar se do të kërkohen edhe investime të jashtme për transformimin e sektorit.

AAK: Pacienti në qendër dhe parandalimi i ikjes së mjekëve

Arbër Tolaj nga AAK-ja deklaroi se vizioni i Aleancës bazohet në një sistem të drejtë, të qëndrueshëm dhe të orientuar nga pacienti. Ai theksoi rëndësinë e mjekësisë primare dhe parandalimit të sëmundjeve përmes kontrolleve të rregullta.

Tolaj u ndal edhe te personeli shëndetësor, duke kërkuar rritje të pagave dhe trajtime dinjitoze për të parandaluar ikjen e mjekëve nga vendi.

“Sipas të dhënave, mbi 2,000 punëtorë shëndetësorë kanë lëshuar Kosovën, ndërsa vetëm gjatë vitit 2024 rreth 105 mjekë janë larguar” – tha ai.

Përplasje për Spitalin e Ferizajt

Një nga përplasjet më të ashpra në debat ishte ajo për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt.

Zemaj dhe Haxhiu akuzuan Qeverinë aktuale për dështim dhe zvarritje të projektit, ndërsa Gexha u përgjigj se ndërtesa ekzistuese ka probleme serioze pronësore dhe teknike, duke e bërë të pamundur investimin në të.

“Kemi angazhuar ekspertë dhe profesorë për vlerësime teknike, por funksionalizimi i asaj ndërtese ka qenë i pamundur” – tha Gexha.

Akuza të rënda për menaxhimin e barnave

Debati kaloi edhe më tej në pjesën për menaxhimin e barnave dhe Listën Esenciale. Armend Zemaj nga LDK dhe Bekim Haxhiu nga PDK akuzuan Qeverinë për keqmenaxhim, ndërhyrje në listë të barnave esenciale dhe krijim monopoli.

Bekim Haxhiu nga PDK ka thënë se rritje e buxhetit për barna nuk përmirësoi furnizimin por u bë për të rritur përfitimin për anëtarët e Qeverisë.

“Ne kemi pas kryetar të Komisionit për Listë Esenciale të Barnave i cili ka kaluar aksionar te një kompani e cila është përfituesi më i madh në tenderomaninë në Ministrinë e Shëndetësisë”- ka thënë Haxhiu në debat duke shtuar se këto janë elemente që Prokuroria të veproj. Ai ka thënë se furnizimi me barna ka qenë 56% e për material shpenzues 55%.

Armend Zemaj i LDK-së ka thënë se tenderi për një bar imunoterpi, nga 128 mijë euro kaloi në 950 mijë euro pas bërjes së Listës Esenciale të Barnave nga Ministria e Shëndetësisë.

“Personi që e ka këshillu Ministrin e Shëndetësisë, ish-kryetari i Odës Farmaceutike, është ai aksionari Arianit Jakupi që ka shku në atë kompani dhe këta janë të lidhur në mënyrë zingjirore edhe me kryesuesin edhe me ish-sekretarin edhe me ministrin, dhe të cilët i kanë shërby këtyre njerëzve dhe interesave të tyre financiare”- ka thënë Zemaj.

Dafina Gexha-Bunjaku ka thënë që emri nuk ka të bëjë me kompani farmaceutike e se lista i përmban kriteret e Listës Esenciale të Barnave.

“Arianiti e di që ka qenë këshilltar i të gjithë ministrave të tjerë. Këshilltar i Alush Gashit, i Uran Ismailit ka qenë”- tha Gexha-Bunjaku për rastin e Jakupit.

Në lidhje me këto pretendime, DebatPërnime ka kontaktuar Arianit Jakupin, emri i të cilit u përmend në debat. Ai i mohoi pretendimet, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe shpifëse, dhe tha se të gjitha angazhimet e tij kanë qenë transparente dhe në përputhje me ligjin.

“Nën përgjegjësi ligjore theksoj se sulmet ndaj meje janë të pavërteta dhe spekulative, të ndërtuara mbi keqinterpretime të qëllimshme, që përbëjnë shpifje dhe fyerje të një fushate” – tha ai.

Ai ka spjeguar se në sektorin privat ka kaluar në fund të vitit 2023. Sipas tij nga viti 2019 kur ka qenë angazhimi i fundit i tij si pjesë e një grupi prej 46 profesionistësh për reformën farmaceturike, Lista e Barnave Esenciale është ndryshuar së paku 10 herë.

“Prandaj, çdo përpjekje për ta lidhur emrin tim me ndryshimet në Listën e Barnave Esenciale është tërësisht tendencioze dhe shpifëse”- tha ai me shkrim për DebatPërnime.

Jakupi ka thënë se në sektorin privat u angazhua pas një ndarjeje të qartë kohore nga çdo angazhim publik e pretendimet për shfrytëzim pozite apo krijim avantazhi, deklaron se janë të pabaza dhe nuk mbështeten në fakte.

“Përpjekja për ta paraqitur punën time shkencore dhe hulumtuese, të financuar nga organizata ndërkombëtare, si i punësuar në sektorin publik, përbën shpifje dhe manipulim me faktet.”- shtoi ai.

Për DebatPërnime konfirmoi se ka qenë Kryetar i Odës së Farmacistëve e se ka ushtruar funksione publike e profesionale në fushën e Shëndetësisë.

Nga ana tjetër, Dafina Gexha mbrojti punën e Qeverisë, duke theksuar se buxheti për barna është rritur nga 24 milionë euro në vitin 2019 në 63 milionë euro në vitin 2025, ndërsa për sëmundjet e rralla janë ndarë 6.5 milionë euro.

Ligji për Duhanin: Premtime për zbatim më rigoroz

Në fund të debatit u diskutua edhe për zbatimin e Ligjit për Duhanin. Përfaqësuesit e partive premtuan masa më të ashpra, rritje të numrit të inspektorëve dhe  AAK propozoi krijimin e një inspektorati të pavarur për të shmangur politizimin.