Aktivistja Çerkica Rexhepi. Foto: 09.06.2022

Çerkica Rexhepi: Kur i kam pasë 13 vjet më ka përzënë familja

Aktivistja Çerkica Rexhepi në emisionin “Kallxo Përnime” ka rrëfyer historinë e saj.

Rexhepi ka thënë se para 36 viteve e ka kuptuar që është gay.

“Lëkura ime është mashkull por përbrenda jam femër”, thotë Rexhepi.

Tutje ajo thotë se ka qenë vetëm 13 vjeç kur familja e saj e ka përzënë nga shtëpia në Fushë-Kosovë dhe më pas ajo e vetme ka jetuar në Prishtinë.

“Para 36 viteve në vitet ’90, ka qenë fillimi, 13-vjeçar kur e kam ditur se çka jam. 10 vjet kur i kam pasë unë e mendojsha veten që jam femër, rrija me femra. Punojsha me femra si fëmijë. Unë e kam ditur veten që jam femër, nuk e kam ditë veten që jam mashkull. Kur dola prej Fushë-Kosovës në Prishtinë dhe e dita veten që jam gay, dhe thash nuk qenkam femër normale por qenkam mashkull. Lëkura ime është mashkull por përbrenda jam femër. Familja më ka përzënë në vitet ’90. 13 vjet i kam pasur kur më kanë përzënë. Më kanë thënë pe mban veten si femër, nuk je për ne. Më kanë thënë del prej shtëpisë”, rrëfen Rexhepi.

Rexhepi tutje thotë se në vitet ’90 për herë të parë ka shkuar në shtëpinë e një shoqeje, në një ndejë me pjesëtarë të tjerë të komunitet LGBTI.

“E kam një shoqe, është e verbër, ajo është LGBT dhe shtëpia e saj është shtëpia e parë që është hapur si klub. Jena mbledh aty. Në atë ndejë kanë qenë nja 20 veta”, thotë Rexhepi.

Ajo thotë se në atë kohë pjesëtarë të këtij komuniteti ka pasur probleme, janë rrahur dhe maltretuar.

“Unë kam qenë i vogël, e mbajsha vetën si femër, edhe kanë menduar që unë jam femër. Unë nuk kam pasur probleme të mëdhaja. Por të tjerët kanë pasur probleme. I merrshin brenda në Polici, i rrehshin, i maltretojshin e të gjitha”, ka shtuar Rexhepi.

Sot në Prishtinë është mbajtur “Parada e Krenarisë”.

Qytetarë, aktivistë, deputetë të Kosovës e ambasadorë të vendeve të huaja kanë bërë thirrje që personat e komunitetit LGBTQI+ të pranohen për orientimin e tyre seksual.

Slogani i paradës për këtë vit ka qenë “EDHE N’SHTET, EDHE N’FAMILJE”, që ka synuar të pasqyrojë praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, ashtu edhe në familje.