Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com
Hoxha dëgjohet si dëshmitar në gjykimin ndaj të akuzuarit për përgatitjen e sulmit ndaj komunitetit LGBTI
B. V. u ul sot në bankën e të akuzuarit në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës për t`u përballur me akuzat për përgatitjen e një sulmit terrorist ndaj komunitetit LGBT.
Në seancën e sotme, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua shoku i të akuzuarit – hoxha me inicialet V. L.
Sipas dëshmitarit, ai së bashku me të akuzuarin kishin qenë duke u kthyer nga Meka e Arabisë Saudite kur i akuzuari ishte arrestuar në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ndërkaq, për ato dhjetë ditë që kishin qëndruar në Arabi, i akuzuari nuk i kishte përmendur kurrë atij çështje të përgatitjes së sulmeve terroriste, eksplozivëve si dhe as nuk kishin pasur ndonjë diskutim lidhur me komunitetin LGBTI.
Përveç dëgjimit të dëshmitarit përgjatë seancës së sotme u thanë edhe fjalët hyrëse lidhur me këtë çështje penale.
Prokurori Special Afrim Shefkiu para trupit gjykues deklaroi se me provat e propozuara në aktakuzë do të provohet se i akuzuari me paramendim dhe me dashje ka përgatitur akte terroriste në Kosovë.
Trupi gjykues në këtë rast është në përbërje prej Valbona Musliu – kryetare dhe anëtarët Musa Konxheli dhe Vesel Ismaili.
Ndërsa mbrojtja me avokatin Arben Kelmendi në fjalë hyrëse tha se vepra penale për të cilën i mbrojturi i tij është akuzuar nuk qëndron pasi që B. V. nuk ka marr asnjë veprim përgatitor siç pretendon Prokuroria.
I njëjti po ashtu propozoi që të mbrojturit të tij të i ndërpritet masa e paraburgimit dhe t`i zëvendësohet me një masë më të butë, por që këtë propozim e refuzoi trupi gjykues.
B. V. po akuzohet se ka bërë përgatitjen e sulmeve terroriste në Kosovë përmes materialeve të rrezikshme e vdekjeprurëse në kombinim me “Nitrat de Calcium” në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI si dhe në pikën kufitare në Merdarë.
Sipas aktakuzës, i njëjti me rastin e udhëtimit nga Arabia Saudite për në Kosovë përmes aeroportit të Shkupit, pasi ishte pjesë e Stop Listës ishte ndaluar dhe kontrolluar në pikën kufitare “Hani i Elezit”, me ç’rast i janë gjetur mesazhe dhe harta të pranuara përmes rrjetit social “Telegram”.
B. V. ishte arrestuar më datë 21 shkurt të këtij viti ndërkaq aktakuza e Prokurorisë Speciale ishte ngritur më 15 Shtator.