Presidentja Osmani: Java e Krenarisë - mundësi e shkëlqyer për të diskutuar rëndësinë e mbrojtjes së çdo anëtari të shoqërisë

Presidentja e Kosovës ka thënë sot se Java e Krenarisë është një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar rëndësinë e mbrojtjes së çdo anëtari të shoqërisë së Kosovës, e në të njëjtën kohë për t’i adresuar sfidat.

“Kosova ka bërë përparime në avancimin e të drejtave të personave LGBTI+, sepse ato janë të rrënjosura në Kushtetutën tonë. Më shumë se kurrë përpjekjet tona për të dëshmuar se jemi të palëkundur për një shoqëri të barabartë”- ka thënë presidentja Vjosa Osmani në hapjen zyrtare të Javës së Krenarisë.

Presidentja e vendit bëri thirrje që të gjithë në Kosovë të punojnë që të ndërtohet një shoqëri ku triumfon dashuria.

“Kjo është një betejë për të garantuar një jetë të mbushur me dashuri dhe jo një jetë të ndrojtur në mes të stigmës… Le të punojmë së bashku për të ndërtuar një shoqëri ku dashuria triumfon. Të punojmë së bashku për një jetë ku secili mund të jetojë lirshëm e të dashurojë lirshëm”- është shprehur ajo.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti tha se në fillimin e Javës së Krenarisë kujtohemi se liria për të dashuruar është e drejtë universale.

“Dashuria është një fuqi unifikuese e cila na lidh bashkë… Dashuria është kusht i lirisë, ajo paradoksalisht mund të arrihet vetëm duke pasur liri”- ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e Hapjes së Javës së Krenarisë. FOTO: KALLXO.com.

Kreu i Qeverisë së Kosovës këtë temë e ka lidhur edhe me luftën e Kosovës për liri duke përmendur se dashuria ka qenë forcë fuqizuese e bashkuese në këtë betejë.

“Dashuria ka qenë një forcë fuqizuese e bashkuese në betejën për lirinë e Kosovës. Ka më shumë se 4 mijë vjet që shkruhet për dashurinë, e megjithatë nëse dikush do të thoshte se muajin e ardhshëm do të botoj një libër për dashurinë askush nuk do të çuditej, pra si është e mundur që ende të shkruhet për dashurinë”- është shprehur Kurti.

Ndërkaq, në këtë ngjarje ishte prezent edhe Blert Morina, drejtor i Qendrës për Barazi dhe Liri të komunitetit LGBT në Kosovë (CEL).

Në fjalimin e tij ai kërkoi liri për këtë komunitet dhe përmendi sfidat e përditshme nëpër të cilat kalon komuniteti LGBTI.

“Unë edhe sot jam midis jush duke kërkuar liri… Po kërkoj liri në dy rrafshe. Liri për dhe liri nga. Liri për të qenë të lirë nga dhuna, liri për të dashur e për të pranuar dashuri haptas, liri për t’u njohur”- tha Morina.

“Por sot do të përqendrohem në gjërat nga të cilat duam liri. Duam dhe kërkojmë liri nga shtypja, përçmimi i përditshëm i individëve LGBTI, kërkojmë liri edhe nga shpërfillja, mospërmendja, nga përçmimi, si trans burrë vet rrugët në të cilat ndodhem janë të palira”- shtoi ai.

Sipas Morinës, për njerëzit e komuniteti LGBTI asgjë nuk vjen me lehtësi përpos shtypjes.

“Rruga për të ardhur këtu është e palirë, ligjet janë të palira, deputetët e deputetet e këtij shteti ku edhe ne jemi qytetarë janë agjendë të kësaj palirie…. të drejtat tona krejt themelore nuk njihen dhe shoqëria jonë krejt në themel ushqehet përditë me urrejtje”- u shpreh ai.

Ndër të tjera Morina përmendi edhe komentet ofenduese që ishin thënë ndaj komuniteit LGBTI para një viti kur diskutohej draft-Kodi Civil.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin edhe përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë, në mesin e të cilëve ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey  Hovenier, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund dhe Frank Power, shef i Zyrës së Këshilli të Evropës në Prishtinë.

Ata përmendën se Kushtetuta e Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtat ndërkombëtare mirëpo kërkuan që Kosova të punojë që t’i vazhdojë përpjekjet e saj për të drejtat e komunitetit LGBTI.

“T’du qashtu qysh je!” është motoja e Javës së Krenarisë këtë vit në Kosovë.