Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Bislimi: Cenimi i sigurisë nuk është arsyeja pse u ktheva nga Beogradi

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, është deklaruar para mediave pas kthimit të tij nga Serbia në Kosovë.

Ai ishte nisur për në Beograd për të marrë pjesë në një konferencë dyditore, në të cilën temë diskutimi ishin edhe raportet mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë.

Mirëpo, Bislimi tha se gjithçka ishte në rregull deri në momentin kur u është thënë se Serbia nuk mund të ofrojë siguri apo siguria ka qenë e cenuar.

“Sot gjithçka ka qenë në rregull deri sa në një moment të caktuar na është thënë se Serbia nuk mund të ofrojë sigurinë apo siguria ka qenë e cenuar” – u shpreh numri dy i Qeverisë së Kosovës.

Bislimi këtë nuk e mendon të jetë arsyeja e vërtetë.

Ai tha se arsyeja është diku tjetër. Zëvendëskryeministri theksoi se ka pasur për qëllim që Beogradit, korit diplomatik dhe qytetarëve serbë t’i ofrojë versionin e Kosovës mbi zhvillimet edhe në Kosovë edhe drejt normalizimit të situatës.

“Jo, arsyeja është diku tjetër, për arsye se ne kemi pasur për qëllim që Beogradit dhe korit diplomatik por edhe qytetarëve atje t’i ofrojmë versionin e Kosovës mbi zhvillimet edhe në Kosovë edhe drejt normalizimit të situatës” – theksoi ai.

Ai tha se qytetarët në Serbi janë të ekspozuar ndaj një propagande shumë të tmerrshme nga Qeveria e Serbisë dhe një të vërtete të shpikur rreth zhvillimeve edhe në Kosovë edhe në dialogun me Serbinë.

Bislimi tha se duket që ka pasur edhe një rezistencë të madhe që të mos mundësohet edhe paraqitja e versionit të anës tjetër, pra versioni i Kosovës.

Tutje ai tha se ka qenë i paraparë që sot dhe nesër të marrë pjesë në takime ku është dashur të diskutohet për katër koncepte me rëndësi që përfshijnë marrëdhëniet ndëretnike, rrugëtimi drejt Evropës, siguria dhe dialogu Kosovë-Serbi.

“Sot edhe nesër unë kam qenë i paraparë që të jem pjesë e dy ngjarjeve me rëndësi në Beograd, fillimisht sot në tryezën e forumit për marrëdhënie etnike në një diskutim me korin diplomatik në Serbi dhe organizatat e shoqërisë civile ku është dashur të diskutohet për Kosovës dhe rrugëtimin drejtë Evropës kurse nesër në forumin e sigurisë së Beogradit ku është dashur të diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi” – ka thënë Bislimi.

Madje ai shtoi se po ashtu kanë pasur të parapara edhe disa takime të tjera si dhe intervista për media në Beograd dhe në media të Kosovës atje.

Sipas zëvëndëskryeministrit, për pjesëmarrjen e tij gjatë këtyre dy ditëve në Beograd është paraqitur kërkesa para organeve qysh javën e kaluar dhe ka qenë e aprovuar.

Kthimin e tij nga Beogradi, Bislimi tha se e shohin si një sinjal që Serbia ende nuk është e gatshme të punojë drejt normalizimit.

Ai e cilëson absurde që një konferencë për sigurinë, Serbia publikisht të pranojë e para që ka elemente kriminale që duan të cenojnë sigurinë dhe e dyta të pranojnë që është e dobët për të ofruar sigurinë për pjesëmarrësit.

Kthimi i Bislimit u tha se u bë diku 85 kilometra para se të mbërrihet në Beograd. Bislimi tha se e sheh të palogjikshme që cenimi i sigurisë të konstatohet menjëherë.

“Kjo ka mund të ndodhë edhe këtu që ne të mos e bëjmë këtë rrugë, por edhe kjo ka qenë një dëshmi se si Serbia e sheh dëshirën apo gatishmërinë për normalizim” – shton tutje zëvëndëskryeministri.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës për këtë ngjarje.

Besnik Bislimi kthehet në Kosovë, nuk i lejohet pjesëmarrja në konferencën në Beograd