Bajrami flet për një tender 137 milionësh në KEK, fton Prokurorinë Speciale të hetojë tregun e energjisë
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Hykmete Bajrami ka folur për një tender të Korporatës Energjetike të Kosovës për modernizimin dhe rehabilitimin e Kosovës A3.
Ky tender, i shpallur në muajin janar të këtij viti, ka vlerë prej 137 milionë euro.
“KEK e ka shpallë këtë tender dhe nuk ka studim të fizibilitetit. Arsyeshmëria që të bëhet ky tender me negociata është që tenderi është voluminoz dhe Operatori Ekonomik nuk ka bërë studim të fizibilitetit. Ftohen Kompanitë me konkuru dhe nuk dihet se çfarë do të bëjnë ato Kompani.” – ka deklaruar Bajrami para mediave.
Tutje, Bajrami ka thënë se ka pasur edhe ndryshime të kritereve gjatë rrugës.
Ndryshime sipas asaj që ka thënë Bajrami ka pasur te përvoja e ekspertëve.
“KEK pret me i pranu 6 oferta dhe pastaj me fillu me negociata me to. Nuk ka penallti. Nuk ka auditim dhe ka kritere diskriminuese. Kërkohet qarkullimi i Kompanive dhe përvoja e ekspertëve.” – ka shtuar Bajrami.
Sipas saj Ministria e Ekonomisë ka dështuar ta mbikëqyrë KEK-un, që sipas saj shtrenjtimin e energjisë po e paguajnë qytetarët.
Për të gjitha çështjet e energjisë elektrike Bajrami ka ftuar Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës të hetojë të gjithë aktorët e involvuar.
Sa i përket energjisë elektrike Bajrami ka thënë se Kosova është në gjendje të rëndë, teksa ka shtuar se janë dyfishuar faturat e energjisë.