I akuzuari Nexhat Vllasaliu - Foto: KALLXO.com

Axhallarët e biznesmenit të vrarë Bedri Rexhepi dëshmojnë në gjykimin e vëllezërve të akuzuar Vllasaliu

Dy familjarë të biznesmenit të vrarë Bedri Rexhepi kanë dëshmuar në gjykimin e Jeton dhe Nexhat Vllasaliut.

Vëllezërit Vllasaliu po akuzohen për vrasjen dhe dëmtimin e kufomës së Bedri Rexhepit.

Avdyl Rexhepi, axha i viktimës, ka rrëfyer se kur kishte kuptuar për zhdukjen e nipit të tij.

“Rreth orës 9:00 apo 10:00 të mëngjesit më ka thirrë në telefon Jakupi, djali i vëllait tim dhe më ka tregu që makina e Bedriut është gjetur në afërsi të Janjevës, në fshatin Shushicë. Prej aty kam filluar menjëherë, kam shku në vendin e ngjarjes” – tha dëshmitari i ftuar nga Prokuroria.

Gjatë dëshmisë së tij, Avdyl Rexhepi ka folur edhe për një takim që kishte zhvilluar me tani të akuzuarin Jeton Vllasaliu pak kohë pas zhdukjes së Bedri Rexhepit.

Ai tha se e kishin ftuar Jeton Vllasaliun atë ditë në përpjekje për të marrë informacione rreth vendndodhjes së viktimës.

“Dyshimi ka qenë tek Jetoni ngaqë më vonë e kemi kuptu që ai ka pasë me u taku me Jetonin për me shku me i marrë dy makinat që ia ka premtu Jetonit” – tha dëshmitari.

Në takim ka qenë prezent edhe dëshmitari pasues, Ismet Rexhepi, i cili në seancë dha pikëpamjen e tij në lidhje me takimin në fjalë me të akuzuarin Jeton Vllasaliu.

“Disa informacione kanë qarkulluar në familje te na se Jeton Vllasaliu pas intervistës në Lipjan e ka thirrë një punëtor të Bedriut, besoj që ka qenë Durimi, e ka thirrë në telefon dhe i ka thënë se Bedriu ka me u gjetë shëndosh e mirë por ka me u prishë shoqëria“ – u shpreh Ismet Rexhepi, po ashtu axhë i viktimës.

Ai rrëfeu se si në kohën kur nuk dihej për fatin e nipit të tij kishte kontaktuar me I.V., një familjar të Jeton Vllasaliut me qëllim që të siguronte informacione rreth Bedri Rexhepit.

Dëshmitari Ismet Rexhepi theksoi se I.V. kishte dhënë disa propozime rreth vendndodhjes së Bedri Rexhepit, duke aluduar se ndodhej në Shqipëri me një femër.

Dëshmitari në fjalë në lidhje me këto aludime tha se fare nuk ka besuar që Bedriu është në Shqipëri.

“Vetë fakti që nga propozimi i tij nuk ka dalë kurrgjë, mundemi me vlerësu se çfarë qëllimi ka pasë I.V.” – tha ai para trupit gjykues.

Trupi gjykues në kërë rast përbëhet nga Medije Bytyçi, kryetare, dhe Ngadhnjim Arrni dhe Agim Kuqi – anëtarë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Jeton Vllasaliu dhe Nexhat Vllasaliu në bashkëkryerje dhe me marrëveshje kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta biznesmenin nga Prishtina, Bedri Rexhepin.

E tëra kjo, sipas Prokurorisë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

Tutje sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu më 8 prill të vitit 2021, Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë-Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturë të tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.

E me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerje e veprës penale.

E me këto veprime të njëjtit akuzohen e kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.