Avokati Jashari: Nëse nuk gjendet burimi i financimit është e vështirë të ndalet dhe lokalizohet terrorizmi

Avokati Arbër Jashari  ka folur lidhur me financimin e personave që kanë marrë pjesë në luftërat në Siri dhe Irak.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Jashari ka thënë se pavarësisht çfarë dënime aplikohen ndaj këtyre personave, nëse nuk gjendet burimi i financimit është e vështirë të ndalet ose lokalizohet terrorizmi apo ekstremizmi i dhunshëm.

Ai ka thënë se në këto rrethana ekziston rreziku që njerëz të tjerë të indoktrinohen.

“Pa u gjetur burimet e financimit, pa u gjetur burimet se nga buron kjo ideologji dhe ky motivim i madh i këtyre njerëzve tonë për t’u marrë me këtë veprimtari, është tepër e vështirë që kjo të ndalet ose lokalizohet, pavarësisht çfarë dënimeve aplikojmë apo çfarë masash, kur ne nuk e kemi ndalë burimin e financimit, kur nuk e kemi ndalë burimin e ideologjisë, kur në start nuk i kemi evituar këto gjëra, atëherë gjithmonë është rreziku potencial që njerëzit të rinj të indoktrinohen dhe bëhen pjesë e këtij rrjeti”,- ka thënë ai.

Por, sipas Jasharit duhet të merret parasysh edhe kompleksiteti i këtyre veprave penale.

Sipas tij, shumë gjëra nuk varen dhe nuk e kanë burimin nga institucionet brenda Kosovës por nga jashtë.

Jashari tutje ka thënë se këto grupe nuk kanë kanale të rregullta të financimit dhe për këtë arsye është e vështirë për Prokurorinë të arrijë deri te gjurmimi.

“Këto grupe funksionojnë në fshehtësi dhe nuk kanë kanale të rregullta të financimit, thjesht paraja bartet prej dore në dorë, në mënyrë të sofistikuar, dhe këta nuk i tregojnë dhe nganjëherë nuk i dinë as kush janë padronët e tyre. Disa sende nuk i marrin vesh hiç dhe është vështirë për prokurorinë që të vijnë deri tek gjurmimi dhe hetimi i atyre kanaleve të financimit”, – ka thënë Jashari.

Ai ka shtuar se disa prej veprimeve të këtyre personave janë individuale apo vijnë nga motive të ndryshme.

“Unë jam i bindur se disa nga veprimet janë thjesht individuale, ndoshta edhe nuk kanë dikë në prapavijë, ata thjesht mund të kenë qenë të motivuar prej situatës, teknologjisë informative, prej ligjëratave, demagogjisë, ideologjisë që shkepet haptas në rrjetet sociale dhe pastaj gjejnë mënyra me u organizu ose vetorganizu” – ka thënë ai.