Çfarë ndodhi me problemin e terrorizmit të Europës?

Nuk ka kaluar kohë e gjatë qëkur sulmet e mëdha ishin shqetësim i përditshëm. I jemi kthyer që ta analizojmë pse tani situata duket ndryshe, shkruan gazetarja e gazetës “The New York Times”, Katrin Bennhold

 

Terrorizmi, atëherë dhe tani

Një dekadë më parë, mbulimi i terrorizmit të lidhur me ekstremizmin islamist ishte pjesë e rëndësishme e punës time. Më 2015, po shkruaja për sulmet në sallën e koncerteve “Bataclan” dhe në gazetën satirike, “Charlie Hebdo”. Një vit më vonë, terroristët do të vrisnin dhjetëra persona duke mësyrë makinën në festimet e Ditës së Bastijës në Nice dhe në një treg Krishtlindjesh në Berlin. Më 2017, do të mbuloja tre sulme në Britani, përfshirë një bombardim vetëvrasës në koncertin e Ariana Grandes në Mançester në Angli.

Sulmet terroriste me viktima masive dukeshin si diçka me të cilën thjesht do të duhej të mësoheshim të jetonim.

Por, ama pastaj diçka ndryshoi. Sot ndihet shumë ndryshe. Sulmet me makina dhe thika nga aktorë të vetmuar që e quajnë veten xhihadistë ende rrokin ballinat herë pas here. Ama më rrallë. Dhe më nuk shohim sojin e operacioneve të sofistikuara kuazi-ushtarake që dikur vrisnin dhjetëra njerëz përnjëherë.

Ka një mori arsyesh pse epoka e terrorizmit e stilit në “Bataclan” duket se është zbehur për momentin. Por sot e asaj dite ende jetojmë me pasojat e tij.

 

Fundi i kalifatit

Ka arsye prapa kësaj rënieje për të cilat bien dakord pothuajse të gjithë ata që e studiojnë këtë fenomen.

E para është rënia e “Shtetit Islamik në Siri dhe Irak” (ISIS). Më 2014, ISIS-i po kontrollonte një territor më të madh se Portugalia. ISIS-i do të trajnonte mijëra xhihadistë të rinj europianë. Por deri më 2017, kalifati i vetëshpallur do të humbte pothuajse gjithë territorin e tij dhe bashkë me të edhe narrativën e tij bindëse.

Shërbimet perëndimore të sigurisë janë përmirësuar gjithashtu në parandalimin e sulmeve. Franca ia ka dalë të parandaloi 85 sulme gjatë dhjetëvjetëshit të fundit dhe gjashtë sosh vetëm këtë vit, ka deklaruar javën e kaluar Emmanuel Macron.

Dhe ka ndryshuar edhe spektri urban. Hidhjani një sy me kujdes të shtuar atraksioneve turistike, ose infrastrukturës, si urat, dhe me gjasë do të shihni shtylla mbrojtëse të vendosura për të pamundësuar mësymjen e makinave.

Këto ndryshime kanë krijuar probleme praktike për terroristët e mundshëm. Nuk kanë ku të stërviten; komplotet zbulohen më shpesh; është bërë e zorshme që të ndërmerren sulme.

Por, kur vjen puna te çështja e motivimit, gjërat janë pak më të turbullta. A është puna vetëm se këto sulme janë më të zorshme që të ndërmerren, apo më pak njerëz duan t’i kryejnë ato? Dhe nëse po, pse?

 

Radikalizimi i islamit vs. islamizimi i radikalizmit

Marrë në përgjithësi, ekzistojnë dy shkolla mendimi lidhur me çfarë i nxiti këto sulme. Njëra i konsideron pasojë e një forme radikale të Islamit; tjetra mendon se ishin pjesë e fenomenit që disa ekspertë e kanë quajtur “islamizimi i radikalizmit”.

Të parës ia ha mendja se ideologjia radikale, të përhapur nëpër xhami dhe nga imamët, por edhe në internet, çoi drejt këtij soji terrorizmi; e dyta argumenton se këto sulme ishin në fakt revoltë e të rinjve emigrantë të gjeneratës së dytë që rastësisht e përqafuan Islamin si mjet për shprehjen e pakënaqësisë së tyre.

Kam folur me studiuesit francezë më fanatgikë për secilin argumentim: Gilles Kepel dhe Olivier Roy.

Të dy mbështesin idetë e tyre në numrin në rënie të sulmeve të mëdha terroriste. Për Royin, kjo është provë se një grup brezash tani e ka tejkaluar kryesisht radikalizmin e tij. Për Kepelin, kjo është shenjë se kërcënimi është konvertuar në diçka më pak spektakolare, por ende të përhapur në internet, diçka që ai e quan “xhihadizëm ambiental”.

Të tjerë thonë se të dy teoritë, në fakt, janë përplotësuese dhe mund të ndihmojnë së bashku shpjegimin e realitetit të ri të kërcënimit të zvogëluar, por të vazhdueshëm.

Peter Neumann, ekspert terrorizmi në Kolegjin Mbretëror të Londrës, më ka thënë se që nga 7 tetori dhe lufta pasuese në Gaza, numri i sulmeve terroriste është rritur përsëri. Nëse nuk e ndiejmë shumë, ka theksuar ai, ndodh për shkak se sulmet janë të vogla për kah masiviteti, dhe kryhen prej adoleshentëve dhe shpesh dështojnë.

Terroristët e rinj tani janë aq jo-ideologjikë, saqë praktikisht nuk dallohen nga sulmuesit në shkolla, ka thënë ai: “Këta fëmijë janë aktivë në nënkultura të ndryshme online. Ata kanë motive personale, dobësi psikologjike dhe shpesh ide eklektike politike. Ata zgjedhin dhe zgjedhin. Kjo krijon një fenomen që nganjëherë bëhet shumë i vështirë për t’u kategorizuar. A është ky ende terrorizëm?”.

Këta janë njerëz, nihilizmi i të cilëve është në kërkim të një kauze (shpjegimi i Royit), dhe të cilëve gjithashtu u mungon organizimi dhe fondet që t’i kryejnë sulmet (Kepel).

Arsyeja pse bota duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje, ngulmon Neumann, është se edhe sulmet në shkallë të vogël mund të ushqejnë një lloj tjetër ekstremizmi të së djathtës ekstreme, e cila ka paralajmëruar përplasje qytetërimesh ndëmrjet Perëndimit dhe Islamit radikal. Një pjesë e ngritjes e së djathtës ekstreme, ka thënë ai, është trashëgimi e epokës së terrorizmit në Bataclan.

Neumann thotë se çfarë na duhet është një version virtual i asaj që ka qenë kaq e suksesshme në botën reale: mekanizma mbrojtës në internetin, që mund t’i parandalojnë ndalojnë njerëzit të ndjekin rrugën e radikalizimit. Fatkeqësisht, ka paralajmëruarai, këto janë pikërisht mbrojtjet që kompanitë e teknologjisë duket se janë të vendosura t’i shpartallojnë.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com