Nga strategjia në praktikë: sfidat e zbatimit të politikave për parandalimin e terrorizmit në Kosovë
Sigurimi i njoftimit formal dhe të rregullt për të gjitha komunat e Kosovës lidhur me Strategjinë dhe Planin e veprimit për luftimin e terrorizmit, krijimi i mekanizmave referues në nivel lokal, hartimi i udhëzuesve për identifikim dhe ndërhyrje të hershme, ndërtimi i strukturave për identifikimin dhe kategorizimin e grupeve në rrezik, fuqizimi i kapaciteteve psiko-sociale në shkolla si dhe përgatitja e planeve konkrete komunale, janë disa nga rekomandimet kryesore të përfshira në raportin më të fundit të monitorimit mbi zbatimin e Strategjisë për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit.
Raporti i publikuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) analizon nivelin e zbatimit të masave për ndërhyrje të hershme si në nivel qendror ashtu edhe në atë komunal, të cilat përbëjnë një nga qëllimet specifike brenda objektivit strategjik të parandalimit në kuadër të Strategjisë shtetërore për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit.
Dokumenti strategjik është në fuqi deri në vitin 2028, ndërsa monitorimi i BIRN është përqendruar në aktivitetet e parashikuara në këtë strategji dhe në planin përkatës të veprimit.
Në raport paraqiten gjithsej 13 rekomandime të drejtuara ndaj institucioneve qendrore dhe lokale. Ato fokusohen në zhvillimet, progresin dhe sfidat e evidentuara gjatë periudhës nëntor 2024 – nëntor 2025, në kuadër të objektivit strategjik për “Parandalim”, i cili është pjesë e Strategjisë shtetërore për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit 2023–2028 dhe Planit të veprimit 2023–2025.
Për hartimin e këtij raporti janë përdorur burime të ndryshme të të dhënave, përfshirë informacione zyrtare nga institucionet relevante, dokumente strategjike dhe operative, statistika administrative, anketa, intervista me akterë kyç si dhe analiza të raporteve të organizatave të shoqërisë civile.
Sipas raportit të BIRN, megjithëse ekziston një bazë e qartë strategjike për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, zbatimi i saj në nivel lokal vazhdon të karakterizohet nga ritëm i ngadaltë, fragmentim dhe shpesh mbetet vetëm në nivel formal. Një nga sfidat kryesore që identifikohet është mungesa e një komunikimi të strukturuar dhe obligues mes institucioneve qendrore dhe komunave.
Raporti thekson gjithashtu se, pavarësisht miratimit të Strategjisë dhe Planit të veprimit në nivel qendror, nuk është garantuar në mënyrë sistematike që të gjitha komunat të informohen zyrtarisht për këto dokumente, të konfirmojnë pranimin e tyre dhe, mbi të gjitha, t’i përfshijnë ato në planet e tyre lokale të veprimit.
“Kjo krijon një hendek të dukshëm mes politikave të hartuara dhe zbatimit real në terren.”- thuhet në raport.
Një tjetër çështje problematike e identifikuar në raport lidhet me vonesat në krijimin dhe funksionalizimin e mekanizmave referues lokalë.
Në vend që këto mekanizma të jenë të standardizuar dhe funksionalë në të gjitha komunat, në shumë raste ato mbeten në faza pilotimi ose nuk janë funksionalizuar fare. Kjo, sipas raportit, reflekton mungesë vendimmarrje konkrete në nivel komunal dhe një lidhje të dobët të këtyre mekanizmave me strukturat ekzekutive lokale.
Raporti vlerëson gjithashtu se në fushën e parandalimit mungon një qasje e harmonizuar dhe e mbështetur në evidencë.
“Të zhvillohen dhe miratohen udhëzues të unifikuar për identifikimin dhe ndërhyrjen e hershme, të udhëhequr nga niveli qendror dhe të zbatueshëm për të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, duke sqaruar qartë rolin e komunave, komunitetit, mekanizmave referues lokalë dhe aktorëve të tjerë relevantë, në përputhje me Objektivin Strategjik “Parandalimi” të Strategjisë 2023–2028.”- thuhet në raportin i cili është publikuar në shkurt të këtij viti.
Një tjetër gjetje e raportit lidhet me mungesën e studimeve empirike dhe analizave të rrezikut në nivel lokal. Siç theksohet në raport, shumë ndërhyrje vazhdojnë të mbështeten në burime sekondare ose në reagime pas ndodhjes së rasteve konkrete, në vend që të bazohen në të dhëna të mirëfillta dhe analiza shkencore, gjë që kufizon ndjeshëm efektivitetin e masave parandaluese.
Po ashtu, raporti identifikon një boshllëk të konsiderueshëm në procesin e identifikimit dhe kategorizimit të grupeve të rrezikuara.
Në të njëjtën kohë, raportimi mbi aktivitetet parandaluese dhe përfshirjen e komunitetit nuk është i standardizuar në mënyrë të mjaftueshme.
“Të institucionalizohet raportimi i standardizuar mbi pjesëmarrjen komunitare, duke përcaktuar indikatorë minimalë të detyrueshëm (numri i takimeve, pjesëmarrësit, grupet e synuara, rastet e identifikuara dhe të referuara), veçanërisht për Policinë e Kosovës dhe strukturat e policimit në komunitet, me qëllim matjen reale të ndikimit në parandalim.”- thuhet në raport.
Sistemi arsimor konsiderohet një nga sektorët më të ndjeshëm në këtë proces. Sipas raportit, kapacitetet psiko-sociale në shkolla mbeten të pamjaftueshme, ndërsa mungesa e psikologëve dhe profesionistëve të specializuar në shumë komuna vështirëson identifikimin dhe trajtimin e hershëm të rreziqeve te të rinjtë.
Në këtë kontekst, shumë komuna nuk arrijnë ta integrojnë në mënyrë efektive Strategjinë dhe Planin e Veprimit në dokumentet e tyre lokale. Planet konkrete për parandalim dhe ndërhyrje të hershme shpesh mungojnë ose nuk bazohen në të dhëna të besueshme. Kjo lidhet edhe me kapacitetet e kufizuara analitike në nivel lokal, ku vendimmarrja shpesh mbështetet më shumë në perceptime sesa në evidencë.
Strategjia shtetërore për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit 2023–2028 e trajton parandalimin si një nga shtyllat kryesore strategjike, duke i kushtuar rëndësi të veçantë identifikimit dhe ndërhyrjes së hershme ndaj faktorëve, rrethanave dhe shenjave që mund të çojnë në radikalizmi, ekstremizëm të dhunshëm apo terrorizëm.
Në këtë kuadër, identifikimi i hershëm shihet si parakusht për ndërhyrje efektive parandaluese, ndërsa ndërhyrja e hershme konsiderohet mekanizmi përmes të cilit ky identifikim përkthehet në masa konkrete mbështetëse dhe mbrojtëse për individët dhe grupet e cenueshme.
Strategjia parashikon një model të decentralizuar të zbatimit, ku komunat kanë rol të rëndësishëm në aktivitetet parandaluese, veçanërisht në fusha si arsimi, shërbimet sociale, kujdesi primar shëndetësor, përfshirë shëndetin mendor, zhvillimi komunitar dhe siguria në bashkësi.
Megjithatë, qasja e decentralizuar nuk nënkupton transferimin e plotë të përgjegjësisë strategjike te niveli lokal. Përkundrazi, ajo parasheh një rol të fuqishëm koordinues dhe drejtues të institucioneve qendrore, në radhë të parë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve të tjera relevante.
Institucionet qendrore mbeten përgjegjëse për orientimin strategjik, hartimin e udhëzimeve dhe mekanizmave procedurale, mbështetjen e komunave në ngritjen e kapaciteteve, sigurimin e bashkëpunimit ndërinstitucional si dhe monitorimin e zbatimit të Strategjisë në nivel lokal.
Ndër vite, në disa raporte të ndryshme të publikuara nga BIRN janë evidentuar gjithashtu sfidat, kapacitetet dhe përgjegjësitë që kanë institucionet qendrore dhe lokale në trajtimin e personave të kthyer nga zonat e konfliktit, familjeve të tyre, si dhe individëve që kanë rënë ndesh me ligjin në Kosovë për shkak të mbështetjes së grupeve terroriste.
Raporti i BIRN përfshin gjithashtu një analizë më të thelluar të gjetjeve të dalura nga procesi i hulumtimit. Një nga çështjet që theksohet është mungesa e studimeve empirike mbi ndërhyrjen e hershme në parandalimin e terrorizmit. Studime të tilla konsiderohen të rëndësishme për institucionet, pasi ndihmojnë në kuptimin më të mirë të rrethanave dhe faktorëve që mund të çojnë drejt radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Sipas të dhënave të raportit, nga 22 komuna të përfshira në analizë, asnjëra prej tyre nuk ka raportuar realizimin e një studimi empirik të pavarur dhe të strukturuar që do të trajtonte grupet e synuara të rrezikuara nga radikalizmi gjatë periudhës nëntor 2024 – nëntor 2025.
“Në mungesë të studimeve empirike të prodhuara në nivel qendror, ndërhyrja e hershme mbështetet kryesisht në vlerësime të përgjithshme dhe praktika operative, pa një bazë të strukturuar analitike që do të informonte identifikimin e rrethanave nxitëse dhe grupeve të rrezikuara. Ky boshllëk krijon kontekstin në të cilin ndërhyrja e hershme zbatohet edhe në nivel lokal pa orientim të bazuar në evidence.”- thuhet në raport.
Në raportin paraprak të monitorimit, vetëm dy komuna Peja dhe Obiliqi kishin raportuar realizimin e studimeve të tilla.
Sa i përket identifikimit të grupeve të cenueshme nga terrorizmi dhe ndërhyrjes së hershme, raporti vëren se të dhënat e mbledhura nga Ministria e Punëve të Brendshme tregojnë mungesë të një liste apo dokumenti zyrtar gjithëpërfshirës që do të identifikonte kategoritë e popullsisë të cenueshme ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm gjatë periudhës nëntor 2024 – nëntor 2025.
“MPB konfirmon se rastet trajtohen kryesisht në bazë të përvojës operative dhe të dhënave të mbledhura gjatë trajtimit të rasteve konkrete, veçanërisht në lidhje me rrethin familjar dhe social të individëve të përfshirë.”- thuhet në raport.
Raporti trajton gjithashtu edhe çështjen e udhëzuesve për identifikimin e hershëm të shenjave dhe faktorëve të radikalizmit, të cilët konsiderohen instrumente të rëndësishme për zbatimin praktik të ndërhyrjes së hershme, siç parashihet në Strategjinë Shtetërore për Parandalimin dhe luftimin e terrorizmit 2023–2028 dhe Planin përkatës të veprimit.
“Të dhënat e tabelës tregojnë se shumica dërrmuese e komunave nuk kanë hartuar dhe as nuk kanë shpërndarë ndonjë udhëzues lokal për identifikimin e faktorëve të hershëm të radikalizmit. Nga komunat e përfshira në analizë, vetëm Komuna e Gjilanit raporton se përdor një dokument orientues, konkretisht “Kornizën e vlerësimit të cenueshmërisë”, të cilën e përdor Mekanizmi Referues pas trajnimeve të realizuara në kuadër të projektit ‘NICO’.”- thuhet në raport.
Një tjetër gjetje e raportit lidhet me funksionalitetin e Këshillave Komunalë për Siguri në Bashkësi (KKSB) si mekanizma që mund të kontribuojnë në ndërhyrjen e hershme për parandalimin e terrorizmit.
Sipas Strategjisë, këto këshilla janë të konceptuara si platforma koordinuese në nivel lokal ku bashkërendohen rolet e komunave, Policisë së Kosovës, institucioneve të sigurisë, prokurorisë, institucioneve arsimore dhe shërbimeve sociale, nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Megjithatë, të dhënat e raportuara tregojnë se nga gjithsej 74 mbledhje të zhvilluara nga komunat, temat që lidhen drejtpërdrejt me identifikimin e hershëm, parandalimin e radikalizmit, ekstremizmin e dhunshëm apo terrorizmin janë trajtuar vetëm në të paktën 13 mbledhje, konkretisht në komunat Gjilan, Hani i Elezit, Lipjan, Prishtinë dhe Rahovec.
Sa i përket sfidave të identifikuara, raporti evidenton disa modele të përsëritura: mungesën e udhëzimeve specifike për rolin e KKSB-ve në ndërhyrjen e hershme për parandalimin e terrorizmit; trajtimin e temës së ekstremizmit kryesisht vetëm në rastet kur paraqiten raste konkrete, duke e kthyer ndërhyrjen e hershme në një qasje më tepër reaktive; varësinë e theksuar nga informacionet e Policisë së Kosovës; mungesën e analizave të strukturuara në nivel komunal; si dhe fokusimin e këtyre këshillave kryesisht në çështje të përgjithshme të rendit dhe sigurisë publike, në vend të trajtimit specifik të rreziqeve që lidhen me radikalizmin dhe terrorizmin.
Raporti ndalet edhe te roli i sistemit arsimor në kuadër të ndërhyrjes së hershme për parandalimin e radikalizmit dhe terrorizmit. Shkollat në zonat e cenueshme konsiderohen hapësira kyçe për identifikimin e hershëm të faktorëve të rrezikut.
Strategjia dhe Plani i veprimit i japin arsimit një rol të rëndësishëm, duke qenë se shkollat janë vendet ku shpesh vërehen më herët ndryshimet në sjellje, shenjat e përjashtimit social, vështirësitë psiko-emocionale apo ekspozimi ndaj narrativave ekstremiste, veçanërisht tek fëmijët dhe adoleshentët.
“Në tërësi, të dhënat tregojnë se, ndonëse MASHTI ka ndërmarrë disa iniciativa konkrete në nivel qendror – veçanërisht në trajnimin e psikologëve dhe në vetëdijesimin e nxënësve – kapacitetet strukturore mbeten të pamjaftueshme, ndërsa ndërhyrjet nuk janë të shpërndara në mënyrë të barabartë në të gjitha komunat. Kjo krijon një hendek të dukshëm ndërmjet rolit të paraparë të shkollave në Strategjinë Shtetërore për Parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe kapacitetit real të sistemit arsimor për të vepruar si mekanizëm funksional i ndërhyrjes së hershme.”- theksohet në raport.
Në një hulumtim të publikuar në nëntor të vitit 2025, të dhënat e policisë tregonin se në vitin 2025 numri i të dyshuarve për terrorizëm në Kosovë ka rënë krahasuar me vitin 2024.
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë kundër terrorizmit, nga viti 2021 deri në tetor të vitit 2025 nën dyshimet për terrorizëm janë arrestuar 71 persona.
KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për rastet që janë raportuar apo kanë pasur lidhje me veprat penale të ekstremizmit dhe terrorizmit.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN Kosova në shkurt të këtij viti ka publikuar raportin e 8-të të analizës monitoruese për sfidat e programeve të rehabilitimit, riintegrimit dhe shkëputjes nga terrorizmi në Kosovë, me ç’rast u tha se numri i të burgosurve për vepra të kësaj natyre që ndjekin program rehabilitimi është i ulët dhe se kjo vjen si pasojë e mungesës së hapësirës ligjore që do të obligonte diçka të tillë.
Kreshnik Gashi, kryeredaktor dhe hulumtues i KALLXO.com, ishte shprehur se edhe pse Kosova është një model në fushën e rehabilitimit dhe riintegrimit, “elefanti në dhomë” është ekstremizmi i djathtë që duhet të trajtohet me urgjencë.
“Të dhënat që i kemi ne tregojnë që shumica e të dënuarve që kanë kaluar nëpër sistemin tonë korrektues nuk janë kthyer në vepra të reja penale. Po ashtu, brenda sistemit ka pasur vullnet të hatashëm për të zhvilluar kapacitete për zhvillim të programeve specifike që u dedikohen këtyre kategorive, por kemi edhe sfida: Ne jemi edukuar për trajtim të ekstremizmit religjioz, mirëpo tash në tavolinë kemi një format tjetër të ekstremizmit që është ekstremizmi i djathtë dhe duhet në mënyrë urgjente ta trajtojmë këtë fenomen edhe brenda burgjeve, por edhe sistemit të rehabilitimit.”- kishte thënë Gashi.