Trendet e arrestimeve në Kosovë për terrorizëm dhe urrejtje

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë që në vitin 2025 numri i të dyshuarve për terrorizëm në Kosovë ka rënë krahasuar me vitin 2024.

Në sigurinë publike analizat tregojnë që krimet e urrejtjes u rritën së bashku me akuzat për nxitje të urrejtjes.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë Kundër Terrorizmit, nga viti 2021 deri në tetor të vitit 2025 nën dyshimet për terrorizëm janë arrestuar 71 persona.

Pjesa më e madhe e tyre mbrohen dhe gjykohen në liri.

Analizimi i të dhënave tregon se gjatë vitit 2025 pati një rënie të arrestimeve.

Sipas statistikave, ky është numri i të arrestuarve ndër vite në lidhje me dyshimet për terrorizëm:

Më 2020 u arrestuan 3 persona,

Më 2021 u arrestuan 14 persona,

Më 2022 u arrestuan 16 persona,

Më 2023 u arrestuan 16 persona,

Më 2024 u arrestuan 16 persona,

Më 2025 (deri në tetor) u arrestuan 7 persona.

Përkundër numrit të madh të arrestimeve në këto pesë vite pjesa më e madhe e të arrestuarve tashmë janë të lirë.

Sipas statistikave të Shërbimit Korrektues të Kosovës momentalisht për veprën e terrorizmit janë të paraburgosur 5 persona dhe 10 të tjerë janë në vuajtje të dënimit.

Rritja e radikalizmit në Kosovë krijoi një valë të gjerë të arrestimeve që nga viti 2014, e cila po vazhdon edhe 11 vite pas.

Hetimet e Policisë në kontinuitet kanë zbuluar mbështetës të ISIS-it në vend, ndërsa nxitja e tensioneve ndëretnike në veriun e vendit u shoqërua me arrestime të anëtarëve të grupit të Banjskës dhe anëtarëve të dy organizatave terroriste – “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e veriut”.

Krahas trendeve të arrestimeve për terrorizëm në operacionet e Policisë janë regjistruar edhe statistika për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes ndëretnike.

Të dhënat e Policisë tregojnë se më 2024 u arrestuan 11 persona për këtë vepër, ndërsa më 2025 deri në tetor janë arrestuar 9 persona.

Në Kosovë ekziston Strategjia Shtetërore kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit, e cila përcakton rolin e institucioneve të sigurisë, drejtësisë si dhe rehabilitimin dhe riintegrimin për të adresuar dhe trajtuar rastet që ndërlidhen me ekstremizëm e terrorizëm.

Madje Strategjia, e cila është funksionale, ka paraparë edhe trajtimin e formave të reja të ekstremizmit.

Rastet e nxitjes së urrejtjes

Më 18 nëntor, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur dy aktakuza për tre persona të arrestuar për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

Në aktakuzën e parë, I.U. akuzohet se nga viti 2021 e deri më 23.10.2024, përmes rrjetit social “Facebook” kishte shpërndarë materiale me përmbajtje nacionaliste. Ndërsa, më 23.10.2024, gjatë kontrollit policor në veturën e tij janë gjetur dhe sekuestruar katër çanta me materiale të ndryshme, si fanella, 148 kartëvizita me përmbajtje nxitëse dhe përçarëse, që do të mund të shkaktonin prishje të rendit publik.

Ndërsa në rastin e dytë, të pandehurit K.B. dhe M.J. akuzohen se në vitin 2020 përmes rrjetit social “Facebook” kishin shfaqur një video në parkun e qytetit në Gjakovë me përmbajtje nxitëse dhe me qëllim që të shkaktojnë përçarje mes grupeve kombëtare dhe etnike.

Në shtator, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj dy vëllezërve të cilët jetonin në zonën e Prishtinës. Të njëjtit po akuzohen për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit pasi që sipas të dhënave të Prokurorisë kishin nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve fetare, duke propaganduar ideologji ekstreme fetare dhe duke përkrahur publikisht veprimet e organizatës terroriste ISIS.

Vëllezërit po akuzohen se në rrjetin social “Facebook” dhe “TikTok” kanë shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse, me thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad.

KALLXO.com arriti që të gjejë edhe shtëpinë e të dyshuarve të cilët kishin vendosur flamuj të ISIS-it mbi kulmin e shtëpisë së tyre, e kishin bërë grafite me shkronja arabe në muret e shtëpisë së tyre, me të cilat veprime potencialisht mund të prishet rendi publik.

“D.B., sipas provave ka qenë refuzues ndaj të gjithëve që nuk e praktikojnë fenë sipas mënyrës së tij, dhe ka postuar e shpërndarë materiale me gjuhë fyese ndaj shumicës së hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës”- thuhet në një nga njoftimet e Prokurorisë Speciale të datës 26 shtator 2025.

Në gusht të këtij viti, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për të njëjtën vepër ndaj një personi me inicialet I.P.

Gjithmonë sipas Prokurorisë, I.P. akuzohet se me dashje dhe me qëllim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike më 18.07.2025, rreth orës 12:00, në Rahovec.

Sipas aktakuzës, I.P. ka mbajtur një fjalim publik, me të cilin i është drejtuar një mase të gjerë qytetarësh, ku ndër të tjera ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse.

“…Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste”- thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale e më tutje kishte vazhduar të bëjë thirrje drejtuar qytetarëve, duke deklaruar: “Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe…”.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime I.P. akuzohet se ka nxitur dhe thelluar mosbesimin dhe mosdurimin ndaj diversitetit etnik në Kosovë, si dhe ka cenuar bashkëjetesën ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Akuza për nxitje të urrejtjes pati edhe ndaj një mësimdhënësi, i cili dyshohet se me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve kombëtare, etnike dhe fetare në Kosovë, i njëjti me rastin e festimit të ditës së flamurit kombëtar, publikisht ka ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të përdhosjes së simboleve kombëtare shqiptare, më konkretisht flamurit kombëtar dhe plisit.

Ndaj të njëjtit, Prokuroria kishte kërkuar të shqiptohej dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratë publike apo shërbim publik.

Një rast tjetër që ishte raportuar ishte edhe ajo për vrasjen e rreshterit policor Muhamet Lika në Kaçanik. Për njërin nga të arrestuarit në atë kohë ekzistonte edhe një aktakuzë e cila ishte për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

https://kallxo.com/lajm/drejtori-i-policise-thote-se-disa-nga-te-dyshuarit-kane-qene-te-arrestuar-me-heret-ne-lidhje-me-djegien-e-gjykates-ne-kacanik/

Sipas dokumentit që kishte siguruar KALLXO.com, njëri nga të dyshuarit në lokalin e tij me dashje dhe publikisht kishte nxitur urrejtje midis grupeve fetare duke vendosur një fletë në dritare me një bredh në mes dhe të ngjyrosur me ngjyrë të kuqe shenjën se kjo festë nuk lejohet të festohet.

Në maj të këtij viti aktakuzë ishte ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj I.P., pasi që i njëjti më 03.03.2025, në afërsi të teqesë “Saraçhane” në Prizren, kishte nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare.

“Hetimet kanë rezultuar se I.P. e ka grisur dhe e ka shpërndarë në tokë librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin, duke shkaktuar mllef të madh te komuniteti islam dhe duke cenuar bashkëjetesën ndërmjet grupeve me ideologji të ndryshme fetare”- kishte thënë Prokuroria Speciale më 20 maj 2025.

https://kallxo.com/lajm/arrestohet-personi-qe-dyshohet-se-grisi-kuranin-ne-prizren/

Më 28 maj, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj dy personave të nacionalitetit serb, N.B. dhe L.Z., për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

Një tjetër rast për një person të nacionalitetit serb ishte ngritur edhe më 16 maj. Prokuroria Speciale në atë kohë pati thënë se nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se S.S., i nacionalitetit serb, më 14.10.2023, rreth orës 08:20, në fshatin Dren të Komunës së Zubin Potokut, ka ndërmarrë veprime konkrete me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve etnike dhe të prishjes së rendit publik në Republikën e Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 14 tetor 2023 gjatë ndalimit për kontroll policor, i pandehuri ka pasur të veshur një bluzë të zezë me mbishkrime me motive nacionaliste, në pjesën e përparme, të së cilës gjendej harta e Kosovës me mbishkrimin “NE DAMO TE ZEMLO DUSANOVA”.

“Ne nuk do t’jua japim tokën e Car Dushanit”, ndërsa në pjesën e pasme të saj ishte mbishkrimi “RANVOGORSKI POKRET – IBARSKE KOLOSIN”, që përfaqëson emrin e një lëvizjeje politike me përmbajtje nacionaliste dhe motive nxitëse ndaj grupeve të tjera etnike në Republikën e Kosovës”- thuhet në njoftimin e PSRK të datës 16.05.2025.

Në dhjetor të vitit 2023, Prokuroria kishte arrestuar katër persona për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit në Han të Elezit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, më 28.12.2023, rreth orës 02:23, Policia e stacionit në Han të Elezit kishte pranuar një informatë se bredhi i Vitit të Ri, i vendosur në oborrin e komunës së Hanit të Elezit, ishte kapluar nga zjarri.

“Patrulla e policisë ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që një ekip i zjarrfikësve kishte lokalizuar zjarrin. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe fillimisht ishte iniciuar një rast për hetim për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”- thuhej në njoftimin e Prokurorisë më 28.12.2023.

Kurse, rreth orës 09:30, policët patrullues në Han të Elezit kishin vërejtur se në disa rrugë të qytetit në Han të Elezit ishin vendosur disa afishe me mbishkrimin “Viti i ri nuk është festë e jona, mos festo festat e jomyslimanëve” dhe për këtë Policia në koordinim me prokurorin kishte nisur hetimet për veprën penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit.

Aktakuzat e dënimet për pjesëmarrje në grupe terroriste

Osman Kastrati është njëri nga personat që u akuzua për pjesëmarrje në grup terrorist.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Osman Kastrati nga data 26.01.2013 e në vazhdimësi kishte marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist “Al Nusra”, në shtetin e Sirisë, duke iu bashkuar kësaj organizate më 26.01.2023, në atë mënyrë që i njëjti kishte udhëtuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës për në Stamboll të Turqisë.

Në aktakuzë thuhet se nga aty me disa persona të tjerë të paidentifikuar deri më tani kishte kaluar në territorin e Sirisë dhe i ishte bashkuar organizatës terroriste “Al Nusra”, pjesëtarët e së cilës, të pandehurit i kanë caktuar detyra konkrete operative në territorin e quajtur “Gota”, që gjendet afër qytetit të Damaskut.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të njëjtin e kishin pajisur me armë automatike të llojit “AK-47” dhe municion me qëllim që të ndërmarrë veprimet e kërkuara nga udhëheqësit e kësaj organizate. Me këtë kishte kryer veprën penale – organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

https://kallxo.com/lajm/i-akuzuari-per-pjesemarrje-ne-grupin-terrorist-al-nusra-denohet-me-3-vite-e-2-muaj-burgim/

Në muajin shtator të vitit 2024, K. Hoxha, ishte dorëzuar tek autoritetet e Kosovës si i dyshuar që kishte qenë pjesë e një grupi i cili kishte planifikuar të kryente një sulm terrorist ndaj kombëtares së Izraelit në vitin 2016.

Asokohe, kombëtarja e Izraelit erdhi në Shqipëri më 12 nëntor 2016 për të zhvilluar ndeshje futbolli për kualifikimet e Botërorit Rusi 2018.

Pasi u dorëzua tek autoritetet, ai u arrestua, ndërsa siç mësoi KALLXO.com i njëjti ishte në masën e sigurisë- atë të arrestit shtëpiak.  Ndërkohë, Prokuroria Speciale kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Hoxhës për veprën penale të fshehjes apo moslajmërimit të terroristëve apo grupeve terroriste.

https://kallxo.com/lajm/dosja-e-aktakuzes-ndaj-te-dyshuarit-qe-iu-dorezua-drejtesise-se-lajmeroi-grupin-qe-planifikonte-sulm-terrorist-ndaj-kombetares-se-izraelit/

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për rastet që janë raportuar apo kanë pasur lidhje me veprat penale të ekstremizmit dhe terrorizmit.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN Kosova në shkurt të këtij viti ka publikuar raportin e 8-të të analizës monitoruese për sfidat e programeve të rehabilitimit, riintegrimit dhe shkëputjes nga terrorizmi në Kosovë, me ç’rast u tha se numri i të burgosurve për vepra të kësaj natyre që ndjekin program rehabilitimi është i ulët dhe se kjo vjen si pasojë e mungesës së hapësirës ligjore që do të obligonte diçka të tillë.

Kreshnik Gashi, kryeredaktor dhe hulumtues i KALLXO.com, ishte shprehur se edhe pse Kosova është një model në fushën e rehabilitimit dhe riintegrimit, “elefanti në dhomë” është ekstremizmi i djathtë që duhet të trajtohet me urgjencë.

“Të dhënat që i kemi ne tregojnë që shumica e të dënuarve që kanë kaluar nëpër sistemin tonë korrektues nuk janë kthyer në vepra të reja penale. Po ashtu, brenda sistemit ka pasur vullnet të hatashëm për të zhvilluar kapacitete për zhvillim të programeve specifike që u dedikohen këtyre kategorive, por kemi edhe sfida: Ne jemi edukuar për trajtim të ekstremizmit religjioz, mirëpo tash në tavolinë kemi një format tjetër të ekstremizmit që është ekstremizmi i djathtë dhe duhet në mënyrë urgjente ta trajtojmë këtë fenomen edhe brenda burgjeve, por edhe sistemit të rehabilitimit”- kishte thënë Gashi.