Besnik berisha, avokat. Foto: Kallxo.com
Avokati Besnik Berisha dërgohet në QKUK
Avokati Besnik Berisha, i cili u arrestua sot nën dyshimet për tri vepra penale, është dërguar në QKUK.
Këtë e ka konfirmuar avokati Naim Rudari, i cili në këtë çështje penale mbron avokatin Berisha.
“Ka shku me bo një ekzaminim, nuk kam informata të tjera” – u shpreh ai për KALLXO.com.
Tutje ai përmendi gjendjen e Berishës pas bastisjes së shtëpisë së tij sot paradite.
“Normal që është pak e papërballueshme me të ardhë dikush me ta rrethu shtëpinë me forca policore të shumta, pa një arsye” – shtoi avokati Rudari.
Kurse, lidhur me situatën e arrestimit, Rudari tha se deri më tani Prokuroria nuk ka parashtruar ndonjë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë.
Avokati Besnik Berisha, një ish-polic dhe dy persona të tjerë, dyshohen për ndikim në një rast të fajdeve në Ferizaj.
Në një operacion policor të udhëhequr nga Prokuroria e Ferizajt gjatë ditës janë shoqëruar në Polici gjashtë persona, katër prej tyre janë arrestuar nën dyshimet për tri vepra penale.
Në mesin e të arrestuarve është edhe avokati Besnik Berisha, një ish-zyrtar policor dhe dy persona të tjerë
Avokati Besnik Berisha, ish-polici N.Xh., dhe dy persona të tjerë I.S., dhe R.C., dyshohen për dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale – pengim i të provuarit dhe ushtrim ndikimi.
Shënim: Ky artikull është edituar në titull dhe në paragrafin e parë.