(Arkiv) Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt - FOTO-KALLXO.com

Vrasja e Agonis Tetajt, fjalët e fundit të palëve në gjykim

I akuzuari për vrasjen e Agonis Tetajt në vitin 2018, Shaban Gogaj së bashku me Isuf Cacajn janë ulur në bankën e të akuzuarve edhe një herë tjetër për t`i dhënë fjalët përfundimtare lidhur me këtë proces.

Prokurori Isuf Sadiku në fjalën përfundimtare tha se mbetet në tërësi pranë akuzës me të cilën Gogajn e ngarkon për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt në kompaninë “Gogaj AG” dhe armëmbajtje, kurse Isuf Cacajn e akuzon vetëm për armëmbajtje pa leje.

Prokurori kërkoi nga Gjykata që për vrasje të rëndë dhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje të akuzuarit t`i shpallë fajtorë.

Dy të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje në seancën e 28.09.2023.

Sadiku kërkoi nga Gjykata në përbërje prej Violeta Husaj- Rugova, Shaqë Curri dhe Sami Sharragjiu gjatë shqiptimit të dënimit të merren për bazë rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese.

Si rrethanë rënduese nga Sadiku për Shaban Gogajn u prezantuan shkalla e lartë e përgjegjësisë penale, rrethanë tjetër rënduese propozoi që të kihet parasysh se vepra penale është kryer në vend publik dhe rrethana të tjera rënduese. Kurse si rrethana lehtësuese propozoi që të merret mosha e të akuzuarit dhe pranimi i fajësisë për veprën penale të armëmbajtjes.

Mbrojtësi i viktimave Luan Mehmetaj që përfaqëson bashkëshorten  e Tetajt, Albesa Cacaj, mbështeti në tërësi fjalën përfundimtare të prokurorisë. I njëjti parashtroi kërkesë për dëmshpërblim në emër të Cacajt në vlerë prej 628 mijë euro.

“I ndjeri nuk jeton më, u privua nga jeta në vendin e punës nga vetë pronari, la pas një grua dhe dy fëmijë…, Ai tani kërkon vetëm drejtësi”- tha Mehmetaj.

Kurse mbrojtësi i Gogajt, Besnik Berisha tha se vrasja e Agonis Tetajt mbetet një tronditje e madhe shpirtërore për klientin e tij, veprim për të cilin ka kërkuar falje.

“Tragjedia e vitit 2018 do të mbetet një nga tronditjet më të madha shpirtërore për klientin tim dhe të familjes së tij për të cilën ai në vazhdimësi ka shpreh keqardhje, pendim, ka përjetuar dhimbje, trishtim dhe kushdo njeri me ndërgjegje të pastër ka mund ta deduktoj nga sjellja e tij”- tha Berisha gjatë prezantimit të fjalës përfundimtare për Gogajn.

Berisha tha se po të shikohen videoincizimet do të konstatohet se vrasja ka ndodhë nga pakujdesia dhe se Shaban Gogaj për këtë e ka pranuar fajësinë në gjykim që herën e parë.

“Ne pamjet e kamerave të sigurisë ai shtangohet ku kap kryet, fton të tjerët për ta thirrë Mixhën, Isufin, i lutet këtij të fundit për ta çuar Agonisin jashtë shtetit për të ja shpëtuar jetën  sepse ai s’kishte dijeni se ai ishte momenti i fundit i tij, kushdo që i ka pa këto pamje dhe i ka përjetuar si njeri, me mendje të shëndoshë do konkludonte se kemi të bëjmë me një vrasje të kryer nga pakujdesia. Për këtë është Shaban Gogaj fajtorë, për këtë është deklaru fajtor, për këtë e ka vuajt dënimin maksimal nën masën e paraburgimit dhe vetëm për këtë një ditë herët a vonë do të mund të qëndroj një aktgjykim i drejtë dhe i ligjshëm”- tha Berisha.

Berisha tutje tha se Shaban Gogaj ndodhet në paraburgim për më shumë se 5 vite, ndërsa vepra e vrasjes nga pakujdesia maksimumin e dënimit e parasheh 5 vite. Në këto rrethana i njëjti kërkoi që në rastin e marrjes së aktgjykimit Gogaj të lirohet nga masa e paraburgimit.

“Kur jemi te dënimi, meqenëse tashmë është vuajtur maksimumi i ligjshëm janë vuajtur edhe 6 muaj përtej maksimumit, kërkesa e drejtë dhe e ligjshme do të ishte që paraburgimi të ndërpritej me rastin e shpalljes së aktgjykimit, sepse çdo zgjatje e më tutjeshme do të kalonte qëllimin e rëndësinë dhe nevojën e një mase të tillë dhe do të ishte një dënim i paligjshëm”- tha Berisha.

Këtë deklarim të Berishës e përkrahu i akuzuari Shaban Gogaj duke mos shtuar asgjë më shumë.

Fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtësi Veton Berisha që përfaqëson të akuzuarin Isuf Cacaj. Ky i fundit akuzohet për armëmbajtje pa leje për të cilën e kishte pranuar fajësinë më 28.09.2023.

Por që Gjyqtarja, Violeta Husaj Rugova ia revokoi pranimin e fajësisë të akuzuarit Cacaj pas dhënies së fjalës përfundimtare nga mbrojtësi i tij Veton Berisha i cili tha se i akuzuari nuk ka qenë në dijeni se është dashur të ketë leje për armën me gaz.

Në këto rrethana, gjykata njoftoi palët se do të administrohet provat për të akuzuarin Cacaj, do të procedohet me dhënien e mbrojtjes.

I akuzuari Shaban Gogaj në seancën e 28.09.2023 nuk kishte pranuar të deklarohet lidhur me veprën penale për të cilën akuzohej “Vrasje e rëndë”.  Kurse Isuf Cacaj kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale por që Gjykata në seancën e së enjtes më 07.03.2024 ia ka revokuar pranimin e fajësisë.

Vrasja e Agonis Tetajt, të akuzuarit Cacaj i revokohet pranimi i fajësisë për armëmbajtje pa leje

 

Kujtojmë që Shaban Gogaj në seancën e parë të rigjykimit të mbajtur më 28 shtator të këtij viti, nuk kishte pranuar të deklarohet lidhur me fajësinë për veprën penale – vrasje e rëndë. I akuzuari kishte thënë se po të akuzohej për vrasje nga pakujdesia do ta pranonte fajësinë.

Në këtë proces gjyqësor së bashku me Gogajn i akuzuar është edhe Isuf Cacaj për armëmbajtje pa leje, gjë për të cilën Cacaj kishte pranuar fajësinë.

Shaban Gogaj nga Gjykata e shkallës së parë më 12 tetor të vitit 2022 ishte dënuar me 7 vite e gjysmë dënim me burgim për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje.

Me këtë vendim Apeli nuk ishte pajtuar duke e kthyer rastin në pikën zero.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.

Raportimet e KALLXO.com – LINK