Avokati Besnik Berisha

Vendimi i gjykatës ndaj Shaban Gogajt, avokati Berisha: E përsëris edhe një mijë herë, veç vrasje nga pakujdesia ka pasë këtu

Shaban Gogaj u shpall fajtor dhe u dënua me 7 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje lidhur me vrasjen e Agonis Tetaj në lokalin “Gogaj AG” në vitin 2018.

Në një prononcim për media, mbrojtësi i Gogajt, avokati Besnik Berisha, e ka cilësuar si të lartë dënimin prej 7 vjet e gjysmë dhe ka deklaruar se për këtë do të i drejtohet Gjykatës së Apelit.

“Lartësia e dënimit është natyrisht e panjohur, e palexuar e besa-besë e pashqiptuar nga gjykata, as kjo gjykatë as gjykatat e tjera” – tha avokati Berisha.

“Do të kemi edhe ankesë kundër vendimit mbi dënimin, pra e përsëris vetëm për lartësinë e dënimit sepse siç e dini Shabani është deklaruar fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe ne nuk synojmë ta apelojmë kualifikimin ligjor.” – tha tutje Berisha.

Përveç kësaj, Berisha e quajti “joproporcional” dënimin ndaj të mbrojturit të tij.

“Përderisa axha i klientit tim dënohet me 2 mijë euro për armëmbajtje pa leje e ky për përdorim 3-sekondësh dënohet me 3 vjet burgim” – u shpreh Berisha.

Vendimin e datës 15.03,2024, e ka marrë trupi gjykues i udhëhequr nga Violeta Husaj-Rugova, Shaqë Curri dhe Sami Sharragjiu. Akuza e prokurorisë përfaqësohet nga prokurori nga Gjilani, Isuf Sadiku.

Kujtojmë që Shaban Gogaj më 14.10.2022 nga Gjykata e Pejës ishte dënuar me 7 vjet e 6 muaj dënim me burgim për armëmbajtje dhe për vrasje nga pakujdesia.

I akuzuari tjetër, Isuf Cacaj, është shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje dhe është dënuar me 2 mijë euro gjobë.

Gjykata e Pejës në shpalljen e vendimit për vrasjen e Agonis Tetajt, më 14.10.2022 kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia. Gogaj me 5 vjet burgim ishte dënuar për vrasje nga pakujdesia dhe 3 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.

Lidhur  me këtë vendim të Themelores nuk ishin pajtuar Gjykata e Apelit duke e kthyer rastin në pikën zero.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.

Raportimet e KALLXO.com në lidhje me këtë rast i gjeni në këtë LINK