ARKIV

Bashkëshortja e Agonis Tetajt kërkon 628 mijë euro dëmshpërblim

Bashkëshortja e të vrarit Agonis Tetajt, Albesa Cacaj përmes mbrojtësit të viktimave, Luan Mehmetaj ka kërkuar dëmshpërblim 628 mijë euro.

Kërkesën për dëmshpërblim e ka bërë Mehmetaj në seancën e së enjtes më 07.03.2024, seancë në të cilën parashihej që të përfundoj procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj dhe Isuf Cacaj, me dhënien e fjalëve përfundimtare, gjë që nuk ndodhi.

Përfaqësuesi i viktimave, Luan Mehmetaj tha se dëmshpërblimi kërkohet në emër të dëmit material dhe jo material.

“Demi i përgjithshëm –  628 mijë euro, kërkojmë që ta aprovoni në tërësi kërkesën pasurore juridike”- deklaroi në fund Mehmetaj.

Sipas përfaqësuesit të viktimave, 300 mijë euro janë kërkuar duke u bazuar në pagën të cilën Agonis Tetaj do ta kishte në ditën e sotme duke llogaritur që i njëjti do të mund të punonte edhe për 36 vite të tjera pune.

Tutje 150 mijë euro janë kërkuar për shkak të dhimbjeve shpirtërore (të bashkëshortes dhe të fëmijëve) për humbjen e jetës së Tetajt. Në këtë vlerë janë përfshirë dhimbjet shpirtërore të bashkëshortes së Agonis Tetajt e cila kishte menduar ikjen nga vendi për shkak të paragjykimeve.

Ndërsa 81 mijë euro janë kërkuar në emër të asaj që Tetaj ishte mbajtës i familjes si dhe kishte moshë të re. 68 mijë euro janë kërkuar për shpenzimet për rritjen, veshmbathjen dhe shkollimin e fëmijëve deri në moshën 23 vjeçare.

Kurse lidhur me këtë kërkesë për dëmshpërblim reagim kishte nga mbrojtësi i Shaban Gogajt, Besnik Berisha, i cili kërkoi që të dijë nëse është kërkesa e familjarëve të Tetajt (babai/nëna dhe bashkëshortes) apo është duke u bërë nga përfaqësuesi i viktimave si kërkesë standarde.

“Ndërkaq sa i përket kërkesës pasurore juridike, meqenëse sot e dëgjuam të ndarë në shifra e cilësi, ta dimë nëse është kërkesë e familjes së tani të ndjerit dhe bashkëshortes së tij apo është kërkesë standarde e mbrojtësit të viktimave. Sepse siç e kanë deklaruar në të kaluarën ata jo vetëm që si besojnë Gjykatës për drejtësi por kanë refuzuar edhe mbështetjen financiare në vazhdimësi”- tha Besnik Berisha.

Berisha tutje shtoi se nëse kërkesa vije nga familja e Tetajt, përkatësisht nga kryefamiljari dhe me konfirmim të bashkëshortes dhe nëse ata janë të bindur se vrasja ka ndodhur nga pakujdesia, kërkesa e tyre do të aprovohet. Se do të pranohet kërkesa për dëmshpërblim pa u këshilluar me klientin e tij, e tha vetë Berisha.

“Në rast se kjo kërkesë rrjedh nga familjari Isuf Tetaj (babai i të ndjerit Agonis Tetaj) e shoqëruar edhe me konfirmimin e bashkëshortes se tani të ndjerit dhe fëmijëve të tij dhe nëse ata besojnë në drejtësi dhe janë bindur se kjo vrasje është kryer në pakujdesi unë pa u konsultuar me klientët e mi e konfirmoj që tani se e njëjta do të ekzekutohet sapo të rikonfirmohen faktet e saktësisë së kërkesës e pohimit dhe konfirmimit nga të dëmtuarit se ata i besojnë drejtësisë se vrasja ishte kryer nga pakujdesia e jo me dashje e djallëzi”- tha Berisha.

Gjykimi udhëhiqet nga Gjyqtarja Violeta Husaj Rugova me anëtarët Shaqë Curri dhe Sami Sharragjiu. Kurse Akuza përfaqësohet nga prokurori i Gjilanit Isuf Sadiku.

I akuzuari Shaban Gogaj në seancën e 28.09.2023 nuk kishte pranuar të deklarohet lidhur me veprën penale për të cilën akuzohej “Vrasje e rëndë”.  Kurse Isuf Cacaj kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale por që Gjykata në seancën e së enjtes më 07.03.2024 ia ka revokuar pranimin e fajësisë.

Kujtojmë që Shaban Gogaj në seancën e parë të rigjykimit të mbajtur më 28 shtator të këtij viti, nuk kishte pranuar të deklarohet lidhur me fajësinë për veprën penale – vrasje e rëndë. I akuzuari kishte thënë se po të akuzohej për vrasje nga pakujdesia do ta pranonte fajësinë.

Në këtë proces gjyqësor së bashku me Gogajn i akuzuar është edhe Isuf Cacaj për armëmbajtje pa leje, gjë për të cilën Cacaj kishte pranuar fajësinë.

Shaban Gogaj nga Gjykata e shkallës së parë më 12 tetor të vitit 2022 ishte dënuar me 7 vite e gjysmë dënim me burgim për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje.

Me këtë vendim Apeli nuk ishte pajtuar duke e kthyer rastin në pikën zero.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.

Raportimet e KALLXO – LINK 

(Shënim: Teksti është edituar tek emri i mbojtësit të viktimave i cili është shënuar gabimisht Luan Mehmetaj, në fakt mbiemri i tij është Mehmetaj. Koha editimit: 15:29 – 06.03.2024)