Mbledhja e datës 15.04.2024, Foto KALLXO.com

Gjobitet me 5,000 euro ‘1st Channel’ për shkak të programit ‘It’s my home’

Komisioni i Pavarur i Mediave në mbledhjen e datës 15.04.2024, me 5 vota pro mori vendim që Televizionit “1ST Channel” t’i shqiptohet gjobë prej 5 mijë eurosh si sanksion për shkelje të Kodit të Etikës dhe Rregullores për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve nga programi “It’s my home”.

Zyra Ekzekutive në mbledhjen e sotme, me Ushtruesin e Detyrës, Faruk Rexhaj, njoftoi se ka bërë monitorim të transmetimit të këtij programi dhe ka konstatuar se është bërë transmetim të disa mosmarrëveshjeve të banorëve të cilat kanë pasur gjuhë vulgare dhe ofenduese, dhe kanë nxitur urrejtje dhe dhunë.

“Zyra ekzekutive i ka kërkuar televizionit sqarime brenda 3 ditësh dhe nuk ka pranuar përgjigje. Më datë 14.12.2023, Zyra e ka njoftuar për shkeljet ‘1st channel’, ka kërkuar sqarim brenda 3 ditësh, prapë nuk ka pranuar. Zyra ka bërë monitorim dhe në bazë të raportimit të datës 24.01.2024 të Zyres Ekzekutive, janë konstatuar shkeljet”, – tha para komisionit Rexhaj.

Bashkërisht me gjobën, u vendos që subjekti të të ketë kujdes, transmetimin ta ketë me kodim dhe sipas orarit të përcaktuar 00:00-06:00, siç përcaktohet me Rregulloren e KPM-së.

Kryetari i KPM-së Jeton Mehemti njoftoi se kjo është hera e parë që gjobitet ky transmetim, kurse anëtari Besnik Berisha tha se këto përmbajtje janë të papranueshme.

“Kemi arrogancë për mosrespektim të rregullores për mbrojtjen e fëmijëve. Këto përmbajtje janë të papranueshme, si të tilla duhet të sanksionohen. Është hera e parë që vjen rasti pajtohem me gjobën asht u siç është dënuar edhe Klan Kosova” – u shpreh Berisha.

Gjobë 10 mijë euro ndaj Klan Kosovës për ‘Big Brother VIP 2’