Akil Gjakova, Foto:Facebook

Arrestohet Akil Gjakova

Xhudisti Akil Gjakova është arrestuar nga organet e sigurisë pas njoftimit që ata bënë gjatë ditës se sotme të cilët e shpallen në kërkim.

Gjakova po dyshohet se ka kryer veprën penale të dhunës në familje.

Gjakova siç mëson KALLXO.com, i kishte thënë policisë së do paraqitej me avokatin e tij e më pas Policia kishte kërkuar edhe në shtëpinë e tij, por nuk e ka gjetur ma datë 13.04.2024.

Ai është kërkuar për arrestim, por në bazë të një njoftimi të Federatës së Xhudos të cilin e ka bërë publik në faqen zyrtare në Facebook, Akil Gjakova shihej se është jashtë Kosovës në një stërvitje në Hungari.

KALLXO.com ka siguruar edhe ankesën që ka ushtruar ish-bashkëshortja e xhudistit Akil Gjakova. Në bazë të dosjes, më 13.04.2024, Policia kishte pranuar një informacion përmes linjës 192 nga ankuesja S.Gj për dhunë në familje. Ajo bashkë më fëmijën 3 vjeçar janë dërguar në stacion policor pasi kanë dalë ekipet në vendin e ngjarjes dhe aty është intervistuar.

Dhuna fizike e cila dyshohet se u përdor nga Gjakova ndaj bashkëshortes së tij me të cilën është në proces divorci, sipas dosjes, ka ndodhur gjatë vitit 2023. Kishte qenë vetë ankuesja e cila kishte dërguar prova materiale në Polici në lidhje me dhunën fizike dhe psikike që pretendon se kishte përjetuar gjatë vitit të kaluar.

Në ditën kur u raportua Gjakova për dhunë në familje, ankuesja S.Gj., ka raportuar në Polici se kishte shkuar te Akil Gjakova bashkë me fëmijën e tyre dhe aty e kishte gjetur derën mbyllur dhe një shënim “derën e ke mshelë dhe jam ka t’i boj gati teshat dhe po t’i bi te shtëpia jote”. Viktima në Polici ka deklaruar se ka pasur vazhdimisht dhunë psikike nga Akil Gjakova.

Ai pas intervistimit nga ana e policisë në prezencë edhe të zyrtarës së QPS, S.Gj është dërguar me kërkesë të saj në strehimore. Policia tutje kishte nisur edhe procedurën për të lokalizuar Akil Gjakovën. Ai në bazë të dosjes, fillimisht i kishte thënë policëve se do të paraqitet me avokatin e tij në polici.

Meqënëse nuk ishte paraqitur ashtu siç kishte thënë, Policia kishte nisur kërkimin e tij në shtëpinë e tij, as aty ai nuk ishte, ndërsa iu la edhe ftesa për paraqitje në stacion policor. Pas këtyre veprimeve është njoftuar edhe prokurorja kujdestare dhe ajo ka vlerësuar që të iniciohet rasti dhunë në familje.