Ilustrim

Arrestimi i aktivistes në protestën kundër vrasjes së grave, Policia jep detaje

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e djeshëm në protestën që u mbajt në Prishtinë kundër vrasjes së grave.

Gjatë kësaj proteste, aktivistja Neri Ferizi është arrestuar nën dyshimin se ajo ka hedhur koktej molotovi në drejtim të objektit të Qeverisë së Kosovës.

Në raportin 24 orësh policor u tha se aktivistja dyshohet për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Zjarri që filloi si shkak i gjuajtjes me koktej molotovi, në raport thuhet se u shua nga njësitet policore që ishin në vendin e ngjarjes.

Policia tregoi se e dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka kërkuar mbrëmë nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lirimin e aktivistes.

“Sonte, Policia e Kosovës ka arrestuar Neri Ferizin, njërën nga aktivistet e protestës së sotme në kundërshtim të vrasjes së grave dhe e ka dërguar atë në mbajtje. Kërkojmë nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të angazhohet që shoqja jonë të lirohet menjëherë” – u tha në reagim.

KALLXO.com ka kontaktuar me Sveçlën për të marr qëndrimin e tij lidhur me këtë kërkesë, mirëpo i njëjti nuk ka kthyer ende ndonjë përgjigje.

Dje gjatë ditës, dhjetëra qytetarë kanë protestuar në Prishtinë kundër vrasjes së grave.

Protesta erdhi pas një vrasje që ndodhi mbrëmjen e 30 nëntorit në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku dyshohet se Sokol Haliti vrau gruan shtatzënë.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për detaje dhe të dhëna të reja që po dalin nga rasti i vrasjes së 35-vjeçares.

I dyshuari po kërkohet ende nga organet e rendit dhe gjendet në arrati.

Gruaja kishte një urdhër mbrojtje që nga shtatori i këtij viti, vlefshmëria e të cilit ishte deri në mars të vitit 2023.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar dje se ka aprovuar kërkesat e grupit ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur.

Ai ka thënë se është duke u bërë një inspektim në disa institucione në bazë të përgjegjësive që bartin dhe ka shtuar se i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kërkon lirimin e aktivistes që u arrestua në protestën e sotme