Policia kërkon ndihmë nga qytetarët për arrestimin e të dyshuarit për vrasjen e gruas shtatzënë

Policia e Kosovës ka publikuar të dhënat personale të të dyshuarit për vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së.

Sipas njoftimit të Policisë, Sokol Halili, i lindur më 07.05.1991, nga fshati Godancë i Komunës së Shtimes, kërkohet për vrasjen e rëndë që ka ndodhur dje në Prishtinë.

Njësiti i hetimeve të përgjitshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personit të dyshuar.

“Të nderuar, për çdo informatë që mund të çoj në identifikimin e vendndodhjes së personit të dyshuar, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”- thuhet në thirrjen e Policisë së Kosovës.

sokol halili

Sipas Gjykatës Themelore të Ferizajt, Stacioni Policor në Lipjan kishte pranuar dokumentin e urdhrit mbrojtës për gruan shtatzënë e cila u vra në oborrin e QKUK-së.

Ky urdhër mbrojtës kishte vlefshmëri deri në mars të vitit 2023.

Tri gëzhoja janë gjetur në vendin e ngjarjes nga ekipet e hetuesisë së Policisë së Kosovës ndërsa trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se pas rastit për dhunë në familje që është raportuar nga viktima në korrik të këtij viti, në shtator Zyra për Mbrojtjen e Viktimave ka paraqitur kërkesë për mbrojtjen e viktimës.

Kërkesa sipas gjykatës është bërë saktësisht më 8 shtator të këtij viti.

35-vjeçarja që ishte në përfundim të shtatzënisë dhe ishte shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë gati për të lindur, në korrik kishte raportuar bashkëshortin e saj në polici për dhunë në familje.

Drejtori i Policisë në Ferizaj, Basri Shabani, në një bisedë me KALLXO.com dje e ka konfirmuar se viktima në rastin e raportimit të dhunës nuk kishte pranuar që të shkojë në strehimore por kishte zgjedhur që të shkoj te një familjar i saj në një komunë tjetër, përkatësisht në Lipjan.

Tutje sipas Gjykatës Themelore në Ferizaj, një tjetër rast i evidentuar për të dyshuarin S.H., është edhe ai i dhunës në familje, i cili ishte raportuar në korrik të këtij viti në polici.

Me datë 10 gusht të këtij viti, Prokuroria në Ferizaj ka ngritur aktakuzën për të dyshuarin për veprën penale të kanosjes më saktësisht neni 181 i Kodit Penal i lidhur me paragrafin 4 të këtij neni i cili thotë se “Kushdo që kryen vepër penale nga ky nen ndaj viktimës së ndjeshme ose me përdorim të armës, mjetit të rrezikshëm ose ndonjë sendi tjetër me të cilin mund të shkaktohet lëndimi trupor ose dëmtimi i rëndë për shëndetin, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet”.

Sipas përgjigjeve të Gjykatës në Ferizaj, i pandehuri në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 7 shtator nuk e kishte pranuar fajësinë në lidhje me veprën për të cilën ishte ngritur aktakuza.

Urdhri mbrojtës për gruan e vrarë në oborrin e QKUK-së vlente deri në mars të vitit 2023