Vrasja e Hamide Magashit, kryeministri kërkon dorëheqjen e gjithë ‘zinxhirit të papërgjegjësisë’

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se ka aprovuar kërkesat e grupit ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur.

Ai ka thënë se është duke u bërë një inspektim në disa institucione në bazë të përgjegjësive që bartin.

“Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar” – ka thënë Kurti.

Ai tutje ka shtuar se i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për detaje dhe të dhëna të reja që po dalin nga rasti i vrasjes së 35-vjeçare shtatzënë.

E njëjta mbrëmjen e kaluar u vra në oborrin e QKUK-së ndërsa ishte duke qëndruar në Klinikën e Gjinekologjisë pasi ishte në prag të lindjes së një foshnjeje.

Burri i saj është personi i dyshuar për kryerjen e vrasjes ndërsa i njëjti po kërkohet nga organet e rendit dhe gjendet në arrati.

Gruaja kishte një urdhër mbrojtje që nga shtatori i këtij viti, vlefshmëria e së cilit ishte deri në mars të vitit 2023.

Ndërsa sot gjatë ditës në Institutin e Mjekësisë Ligjore ka përfunduar autopsia e trupit të vrarë të gruas shtatzënë dhe pas obduksionit trupi i të njëjtës është dërguar te familja e saj për ceremoninë e varrimit..

Deri te urdhri i mbrojtjes erdhi një rast i mëhershëm i raportuar për dhunë në familje më konkretisht në korrik të këtij viti.

Ndaj burrit të dyshuar është ngritur një aktakuzë për kanosje që lidhet edhe me dhunë në familje.

KALLXO.com raportoi se në shtator Sokol Halili ishte dënuar me gjobë prej 300 euro për armë mbajtje pa leje.

Ai dyshohet se mbante një armë me kalibër 9 milimetra prodhim turk dhe një karikator për 8 vite.

Për këtë vepër penale ai ishte penduar para gjyqtarit dhe kishte premtuar se nuk do të kryente më një vepër të tillë apo të ngjashme.

Nën këtë rrethanë lehtësuese Sokol Halili ishte dënuar me 300 euro gjobë.