Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kërkon lirimin e aktivistes që u arrestua në protestën e sotme

Aktivistja Neri Ferizi është arrestuar sot gjatë protestës që është mbajtur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Lidhur me këtë, përmes një reagimi publik, Kolektivi ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lirimin e aktivistes.

“Sonte, Policia e Kosovës ka arrestuar Neri Ferizin, njërën nga aktivistet e protestës së sotme në kundërshtim të vrasjes së grave dhe e ka dërguar atë në mbajtje. Kërkojmë nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të angazhohet që shoqja jonë të lirohet menjëherë” – u tha në reagim.

Tutje, grupi tha se Policia e Kosovës është duke vazhduar ta ndëshkojë rezistencën e tyre tashmë edhe përmes burgut, përderisa vrasësit, sipas Kolektivit, po i lë të lirë.

“Aktivistet nuk janë kriminele. Kriminelë janë vrasësit e grave. Rrjedhimisht, ata duhet të jenë në burg e jo aktivistet që i bëjnë ballë dhunës e shtypjes dhe angazhohen për barazi e drejtësi shoqërore” – thuhet në reagimin e Kolektivit.

Këta të fundit treguan se ia ritheksojnë ministrit dhe gjithë shtetit që rezistenca e tyre nuk mund të shuhet me burgime e përndjekje.

“Ju vazhdoni dhunën ndaj nesh, ne do masovizojmë rezistencën” – u tha në reagim.

KALLXO.com ka kontaktuar për këtë rast Policinë e Kosovës, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Sot gjatë ditës, dhjetëra qytetarë kanë protestuar në Prishtinë kundër vrasjes së grave.

Protesta erdhi pas një vrasje që ndodhi mbrëmë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku dyshohet se Sokol Haliti, bashkëshorti i Hamide Magashit vrau këtë të fundit. Viktima ishte shtatzënë.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për detaje dhe të dhëna të reja që po dalin nga rasti i vrasjes së 35-vjeçares.

Burri i saj është personi i dyshuar për kryerjen e vrasjes ndërsa i njëjti po kërkohet nga organet e rendit dhe gjendet në arrati.

Gruaja kishte një urdhër mbrojtje që nga shtatori i këtij viti, vlefshmëria e të cilit ishte deri në mars të vitit 2023.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se ka aprovuar kërkesat e grupit ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur.

Ai ka thënë se është duke u bërë një inspektim në disa institucione në bazë të përgjegjësive që bartin dhe ka shtuar se i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje.