Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, në takimin e 29 shtatorit 2025 në Shtëpinë e Bardhë. Foto: Shtëpia e Bardhë

Armëpushimi i Trumpit për Libanin e zë Izraelin në befasi

Përderisa lajmi për armëpushimin u përhap në komunitetet veriore të Izraelit, sirenat u dëgjuan tre herë mbrëmjen e së enjtes (16.04.2026) duke paralajmëruar për raketa që vinin nga Libani, shkruan BBC.

Në qiellin në qytetin verior Nahariya, interceptorët e mbrojtjes ajrore të Izraelit u aktivizuan për neutralizimin e tyre, duke shkaktuar shpërthime të forta. Ekipet e ambulancës thanë se të paktën tre persona u plagosën para se të fuqizohej armëpushimi, përfshirë dy në gjendje të rëndë.

Në terren këtu – dhe në mbarë vendin – ka mëdyshje rreth arsyes pse udhëheqësi i Izraelit e ka nënshkruar armëpushimin.

“Ndjej sikur qeveria na gënjeu”, thekson Gal, student në Nahariya. “Ata premtuan se këtë herë do të përfundonte ndryshe, por duket sikur po shkojmë përsëri drejt një marrëveshjeje armëpushimi që nuk zgjidh asgjë”.

“Ne i dhamë një mundësi qeverisë libaneze dhe ata dështuan ta zbatonin marrëveshjen; ata nuk e çarmatosën ‘Hezbollahun’”, ka theksuar Maor, shofer 32-vjeçar kamioni, shtëpia e të cilit u godit nga një raketë vjet.

“Nëse nuk e bëjmë ne, askush nuk do ta bëjë. Është për të ardhur keq që u ndalën. Duket sikur këtë herë pati arritje të rëndësishme”.

Izraeli ka pesë divizione ushtarake në Libanin jugor dhe vetëm të mërkurën zëdhënësi i tij kryesor i ushtrisë deklaroi se ushtria do të vazhdonte të përparonte.

Njoftim për armëpushim e ka zënë në befasi Izraelin – thuhet se madje edhe brenda kabinetit të sigurisë së qeverisë.

Një media izraelite gjerësisht e respektuar e ka përshkruar të enjten kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, duke thirrur një takim të kabinetit të sigurisë vetëm pesë minuta pa nisur, pak para se të shpallej njoftimi i armëpushimit.

Burimet nga takimi thonë se ministrave nuk iu dha e drejta e votës për armëpushimin.

Për shumë njerëz, ky është një tjetër shembull i Netanyahut që i nënshtrohet kërkesave të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të ndaluar luftimet, edhe kur kushtet ose koha nuk janë ato që dëshiron Izraeli.

“Një armëpushim duhet të vijë nga një pozicion force në mënyrë që t’u shërbejë interesave kombëtare të Izraelit”, ka theksuar ish-shefi i shtabit të IDF (ushtrisë izraelite) dhe kreu i partisë Yashar, Gadi Eisenkot.

“Është zhvilluar një model sipas të cilit armëpushimet na imponohen – në Gazë, në Iran dhe tani në Liban. Netanyahu nuk di si t’i shndërrojë arritjet ushtarake në përfitime diplomatike”.

Netanyahu – ndërsa e përshkruante armëpushimin si “mundësi për të arritur një marrëveshje historike paqeje me Libanin” – gjithashtu e bëri të qartë se po bënte pak lëshime në terren.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com