Të gjithë anëtarët e BE-së pajtohen për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, thekson kryeministrja ukrainase

Të gjithë anëtarët e Bashkimit Europian janë pajtuar që t’i nisin bisedimet me Ukrainën dhe Moldavinë për grupin e parë të çështjeve në negociatat e tyre të pranimit, ka njoftuar të enjten (04.06.2026) kryeministrja ukrainase, Yulia Svyrydenko, raporton Reuters.

“Lajm fantastik”, ka shkruar ajo në X. “Jemi një hap më afër anëtarësimit në BE: duke ecur vazhdimisht drejt qëllimit tonë”.

Qiproja, e cila kryeson presidencën e radhës të BE-së, ka njoftuar në X se ka filluar përgatitjet për të hapur zyrtarisht negociatat me të dy vendet mbi grupin e parë të kapitujve negociues, të cilët mbulojnë sundimin e ligjit dhe standardet demokratike.

“Ky shënon një moment të rëndësishëm në rrugën e tyre të integrimit europian dhe përçon një mesazh të fortë të unitetit dhe vendosmërisë së BE-së”, shkruan presidenca e radhës e BE-së.

Qiproja ka bërë të ditur se do të punojë “drejt finalizimit të diskutimeve” për hapjen zyrtare.

Më parë, kryeministri hungarez, Peter Magyar, ka thënë se vendi i tij dhe Ukraina kanë arritur marrëveshje mbi të drejtat e pakicës hungareze prej 100 mijë banorësh në Ukrainë.

Magyari kishte thënë më parë se dakordësimi mbi mosmarrëveshjen e gjatë ishte thelbësore nëse Budapesti do të pranonte që Ukraina të anëtarësohej në BE.

Si Ukraina ashtu edhe Moldavia po bëjnë presion për anëtarësim në BE-në me 27 anëtarë pas më shumë se katër vitesh lufte që e vunë Kievin kundër Moskës.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com